Hezbollahu sheh ndryshim “të madh, të rrezikshëm” në Siri
Grupi libanez, Hezbollah, i sheh ngjarjet në Siri si “transformim të madh, të rrezikshëm e të ri”, tha të hënën një politikan i këtij grupi – reagimi i parë i Hezbollahut ndaj rrëzimit të aleatit të tij, Bashar al-Assad.
Hezbollahu ka luajtur rol të madh në mbështetjen e Assadit ndër vite gjatë luftës në Siri, para se t’i rikthente luftëtarët në Liban në vitin e fundit për të luftuar kundër Izraelit – ridislokim që i dobësoi vijat qeveritare siriane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rënia e Assadit e ka lënë Hezbollahun pa një aleat jetik përgjatë kufirit lindor të Libanit. Siria e udhëhequr nga Assadi shërbente si kanal jetik për Iranin që ta furnizonte me armë Hezbollahun, grup shiit.
“Ajo që është duke ndodhur në Siri është një transformim i madh, i rrezikshëm dhe i ri, dhe si dhe pse çfarë ndodhi kërkon një vlerësim e vlerësimi nuk bëhet në podium” – tha në një deklaratë ligjvënësi i Hezbollahut, Hassan Fadlallah.
Disa grupe të armatosura siriane, të udhëhequra nga grupi islamik sunit, Hayat Tahrir al-Sham, hynë të dielën në Damask, duke e marrë nën kontroll kryeqytetin dhe duke e detyruar Assadin që të ikte në Rusi.
Izraeli i ka dhënë goditje të rënda Hezbollahut gjatë më shumë se një viti armiqësish, të cilat filluan kur grupi libanez hapi zjarr më 8 tetor 2023 në solidaritet me aleatin palestinez, Hamasin, në Gaza. Një armëpushim në Liban ka hyrë në fuqi më 27 nëntor./Nacionale