Hezbollahu i shpërndau pejxherët disa orë para shpërthimeve – pas kontrolleve - NACIONALE

Hezbollahu i shpërndau pejxherët disa orë para shpërthimeve – pas kontrolleve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Grupi me bazë në Liban, Hezbollah, ishte duke ua dorëzuar anëtarëve pejxherët e rinj të prodhuesit “Gold Apollo” disa orë para se mijëra pajisje të tilla të shpërthenin këtë javë, thanë dy burime të sigurisë, duke lënë të kuptohej se Hezbollahu besonte që ato ishin të sigurta, pavarësisht kontrolleve të vazhdueshme të pajisjeve elektronike për t’i identifikuar rreziqet.

Një anëtar i grupit të mbështetur nga Irani pranoi një pejxher të ri të hënën që shpërtheu të nesërmen, përderisa ndodhej ende në kuti, tha njëri nga burimet, raporton agjencia “Reuters”.

Një pejxher që i ishte dhënë një anëtari të lartë vetëm disa ditë më parë lëndoi një vartës të tij, kur shpërtheu, tha burimi i dytë.

Në atë që dukej si sulm i bashkërenduar, pajisjet e prodhuesit “Gold Apollo” shpërthyen të martën në bastionet e Hezbollahut në jug të Libanit, në periferi të Bejrutit e në luginën lindore, Bekaa.

Të mërkurën shpërthyen qindra radio-lidhje që përdoreshin nga anëtarët e Hezbollahut. Sulmet e njëpasnjëshme lanë të vrarë 37 njerëz, përfshirë të paktën dy fëmijë, ndërsa mbi tre mijë të tjerë u plagosën.

Libani dhe Hezbollahu thonë se Izraeli qëndron prapa këtyre sulmeve. Njësiti izraelit i inteligjencës ushtarake, 8200, ishte i përfshirë në planifikim, tha një burim perëndimor i sigurisë. Izraeli, që tashmë i ka shtuar sulmet ajrore kundër Libanit, as nuk e ka mohuar, as nuk e ka konfirmuar përfshirjen në këto raste.

Bateritë e radio-lidhjeve ishin të lyera me një përbërës shumë shpërthyes, i njohur si PETN, tha një burim tjetër libanez i afërt me pjesët përbërëse të pajisjeve. Deri në tre gramë të lëndës shpërthyese, të fshehura në pejxherë, nuk ishin vërejtur me muaj nga Hezbollahu, raportoi më herët këtë javë agjencie “Reuters”.

Njëri nga burimet e sigurisë tha se ishte shumë vështirë që lënda shpërthyese të zbulohej “me çfarëdo pajisjeje apo skaneri”. Burimi nuk saktësoi se nëpër çfarë skanerë i kishte vendosur Hezbollahu pajisjet.

Hezbollahu i kishte ekzaminuar pejxherët pasi ata ishin dërguar në Liban, duke filluar nga viti 2022, përfshirë udhëtimin nëpër aeroporte me ta për t’u siguruar se pajisjet nuk do t’i aktivizonin alarmet, thanë dy burime shtesë./Nacionale

Lajme të ngjashme