Hegsethi thotë se “personalisht nuk pa të mbijetuar” para sulmit për së dyti ndaj barkës - NACIONALE

Hegsethi thotë se “personalisht nuk pa të mbijetuar” para sulmit për së dyti ndaj barkës

2 ditë më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, tha se “nuk pa të mbijetuar” para një sulmi të dytë kundërthënës ndaj një barke të dyshuar për transportim të drogës.

Me këtë sulm u godit një barkë e dyshimtë në Karaibe dhe thuhet se dy persona kishin mbijetuar, duke qëndruar të varur për barke para se gjoja një sulm tjetër të urdhërohej dhe t’i linte ata të vdekur, raporton televizioni BBC.

Sulmi i kryer më 2 shtator ka nxitur shqetësime se forcat amerikane mund t’i kenë shkelur ligjet që kanë të bëjnë me konfliktet e armatosura.

Gjatë një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Hegsethi për situatën kaotike në këtë sulm ia la fajin “mjegullës së luftës”. Shtëpia e Bardhë ka thënë se një admiral i lartë i forcave detare, Frank Bradley, e kishte autorizuar sulmin.

Gazeta amerikane, “The Washington Post”, e para raportoi hollësi për sulmin e dytë, i cili ka shkaktuar shqetësime te ligjvënësit e Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike.

Si përgjigje ndaj pyetjes së një gazetari gjatë një takimi të kabinetit të martën, Hegsethi tha se e shikoi sulmin e parë ndaj barkës “drejtpërdrejt”, por më pas shpejt shkoi në një takim tjetër.

“Unë personalisht nuk pashë të mbijetuar. Ajo gjë [barka] ishte në zjarr dhe shpërtheu. Nuk mund të shohësh asgjë. Kjo quhet mjegull lufte” – tha ai.

Shefi i Pentagonit shtoi se mori vesh për “vendimin korrekt” të admiralit Bradley për ta fundosur barkën “disa orë më vonë”. “Ne qëndrojmë prapa tij” – tha sekretari i Mbrojtjes.

Presidenti Donald Trump gjithashtu e mbrojti admiralin Bradley, edhe pse u distancua nga vendimi i tij për ta goditur barkën për herë të dytë, duke thënë se “ne nuk dinim” për sulmin pasues.

“Dhe unë dua ta them këtë: Dëshiroj që ato barka të eliminohen” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë, transmeton gazeta "Nacionale".

Më shumë se 80 njerëz janë vrarë nga një valë e sulmeve të ngjashme në Detin e Karaibeve dhe në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor nga fillimi i shtatorit.

Lajme të ngjashme