Harvardi e padit administratën e Trumpit, shkak bllokimi i pranimit të studentëve të huaj
Universiteti i Harvardit e ka paditur administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, pasi Shtëpia e Bardhë ia revokoi universitetit të famshëm të drejtën për të pranuar studentë të huaj, duke përshkallëzuar një përplasje mes pushtetit qendror dhe njërit nga institucionet më prestigjioze arsimore në Amerikë e jashtë saj.
Në padinë e dorëzuar në Boston, Universiteti i Harvardit i quajti veprimet e administratës së Trumpit “shkelje flagrante” të ligjit, raporton televizioni BBC.
Padia vjen një ditë pasi zyrtarët në Departamentin e Sigurisë së Atdheut thanë se do t’ia revokonin Universitetit të Harvardit qasjen në programet për vizat e studentëve.
Administrata e Trumpit thotë se Harvardi nuk ka bërë mjaftueshëm për ta luftuar antisemitizmin dhe për t’i ndryshuar praktikat e emërimeve dhe të pranimit të studentëve – akuza që janë mohuar fuqishëm nga universiteti.
“Ne e dënojmë veprimin e paligjshëm e të padrejtë” – tha në një letër rektori i Universitetit të Harvardit, Alan Garber. Ai shtoi se universiteti gjithashtu do të kërkojë një urdhër për masë të përkohshme kufizuese.
“Revokimi vazhdon një varg të veprimeve qeveritare për t’u hakmarrë kundër Harvardit për refuzimin tonë që ta dorëzojmë pavarësinë tonë akademike dhe për t’u dorëzuar para kërkimit të paligjshëm të kontrollit nga qeveria federale mbi kurikulën tonë, fakultetin tonë dhe organin tonë studentor” – tha më tej rektori Garber.