Harrisi e ka ngushtuar listën në dy persona si kandidatë për nënpresident – kush janë ata?
Kandidatja demokrate për presidente të ShBA-së, Kamala Harris, e ka ngushtuar listën e saj në kërkim të një kandidati për nënpresident në dy persona – guvernatorët Tim Walz i Minesorët dhe Josh Shapiro i Pensilvanisë, i kanë thënë agjencisë “Reuters” tri burime të afërta me këtë çështje.
Nënpresidentja Harris pritet që ta bëjë publike përzgjedhjen e saj të martën, para paraqitjes së parë publike me kandidatin e saj për nënpresident të ardhshëm në Filadelfia, raporton agjencia “Reuters”.
Në një porosi për mbështetësit të hënën, zonja Harris tha se ende nuk e kishte marrë vendimin për kandidatin për nënpresident.
“E di se shumë prej jush jeni të etur për të zbuluar se kë do ta zgjedh për të m’u bashkuar në fushatë dhe shpresoj edhe në Shtëpi të Bardhë, si nënpresident i imi” – shkroi ajo.
“Edhe pse ende nuk e kam marrë vendimin, është e rëndësishme për mua përkrahësit e bazës – si ju – të keni përditësime të drejtpërdrejta rreth gjendjes së garës” – shtoi Harrisi, duke u ofruar votuesve një mundësi që të regjistroheshin në një vegëz elektronike për ta marrë të parët lajmin rreth kandidatit të përzgjedhur.
Zgjedhja e një kandidati për nënpresident është njëri nga vendimet me më së shumti pasoja ose rezultate në karrierën politike të Harrisit, përderisa ajo me ngut po mundohet të përgatisë një fushatë për ta sfiduar kandidatin republikan, Donald Trump, dhe kandidatin e tij për nënpresident, JD Vance, në zgjedhjet e 5 nëntorit. Edhe Vance do të bëjë fushatë në Filadelfian Jugore të martën.
Shapiro, 51 vjeç, është yll në ngritje në Partinë Demokratike me përkrahje të fuqishme personale në Pensilvani. 19 votat e saj elektorale e bëjnë Pensilvaninë shtet që duhet të fitohet edhe për Harrisin, edhe për Trumpin.
Walz, 60 vjeç, ka qenë anëtar i Gardës Kombëtare dhe mësimdhënës dhe e ka ngritur profilin e tij në javët e fundit si mbrojtës efikas i Harrisit. Ai i ka sulmuar me fjalë Trumpin dhe Vancen./Nacionale