Harris siguron mbështetjen e nevojshme për t’u bërë kandidate për presidente
Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, siguroi mbështetje të mjaftueshme në mesin e delegatëve të Partisë Demokratike, për t’u bërë kandidate e saj për presidente.
Një sondazh i agjencisë Associated Press, i publikuar mbrëmjen e së hënës, nxori në pah se Harris ka mbështetjen e më shumë se 1.976 delegatëve të nevojshëm, për të fituar nominimin.
Votimi do të zhvillohet nga data 1 deri më 7 gusht.
Delegatët janë njerëzit që zgjidhen për të përfaqësuar zonën e tyre zgjedhore në Konventën Kombëtare Demokratike, ku, formalisht, shpallet kandidati për president.
Kjo konventë do t’i nisë punimet më 19 gusht dhe do t’i përfundojë në datën 22 të atij muaji.
Presidenti Joe Biden i dha mbështetje Harrisit për të garuar për presidente, pasi vetë ai u tërhoq nga gara për rizgjedhje në zgjedhjet e nëntorit.
Biden mori vendimin më 21 korrik, pas shqetësimeve në rritje për moshën dhe shëndetin e tij, por u zotua se do të mbetet në detyrë deri në përfundimin e mandatit presidencial, më 20 janar të vitit 2025. /REL