“Handelsblatt”: Ushtria gjermane po përgatitet që të zhvillojë dronë për sulme në thellësi - NACIONALE

“Handelsblatt”: Ushtria gjermane po përgatitet që të zhvillojë dronë për sulme në thellësi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat e armatosura gjermane janë duke u përgatitur për të zhvilluar dronë luftarakë me rreze të gjatë veprimi, të cilët do të mund të godasin caqe thellë brenda territorit të armikut, raportoi të hënën gazeta “Handelsblatt”.

Tri konsorciume janë duke punuar në koncepte konkrete, pasi forcat ajrore u dërguan një kërkesë për dronë për sulme të thella kompanive të njohura të mbrojtjes dhe firmave të reja të kësaj fushe, thuhet në raportin e gazetës gjermane, transmeton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas raportit, kompania “Airbus Defence” është duke kontribuuar në projekt, bashkë me firmën e re amerikane, “Kratos”, ndërsa gjiganti gjerman “Rheinmetall” i ka bashkuar forcat me kompaninë e specializuar për dronë, “Anduril”. Më tej, në raport thuhet se në projekt është e përfshirë edhe kompania e re me seli në Munih, “Helsing”.

Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë i konfirmoi për gazetën “Handelsblatt” përgatitjet për një projekt të tillë, duke thënë se janë zhvilluar bisedime fillestare, por nuk është lëshuar ndonjë tender zyrtar.

Ministria dhe kompanitë e përmendura nuk iu përgjigjën kërkesave të agjencisë “Reuters” për koment.

Pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës, Gjermania i ka dhënë vëmendje më të madhe mbrojtjes, duke ndarë miliarda euro për fuqizimin dhe modernizimin e ushtrisë.

Para se ta merrte postin e kancelarit, Friedrich Merz premtoi në mars të këtij viti se për mbrojtjen do të bëhet “çfarëdo që nevojitet”./Nacionale

Lajme të ngjashme