Hamasi thotë se i ka humbur kontakti me një peng izraelito-amerikan - NACIONALE

Hamasi thotë se i ka humbur kontakti me një peng izraelito-amerikan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hamasi thotë se i ka humbur kontakti me grupin e luftëtarëve që po mbanin peng një burrë izraelito-amerikan në Gaza pas një sulmi izraelit në vendin ku ndodheshin ata.

Ushtari 21-vjeçar, Edan Alexander, është shfaqur në video të publikuara nga grupi palestinez ditëve të fundit, raporton televizioni BBC.

Izraeli kishte kërkuar që ai të lirohej në ditën e parë të një propozimi të ri për armëpushim 45-ditor, të paraqitur javën e kaluar, por i cili është refuzuar nga Hamasi.

Hamasi të martën nuk tregoi se kur ishte humbur kontakti dhe nuk ka paraqitur ndonjë dëshmi për pretendimin e vet. Izraeli rregullisht pohon se e shmang goditjen e zonave ku beson se janë duke u mbajtur pengjet.

“Ne njoftojmë se e kemi humbur kontaktin me grupin që po e mbante ushtarin Edan Alexander pas një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj vendndodhjes së tyre” – tha në një deklaratë zëdhënësi i Hamasit, Abu Obeida. “Ne ende jemi duke u munduar që të arrijmë te ta në këtë moment” – shtoi ai.

Nga 251 personat që u morën peng gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 2023, 59 ndodhen ende në Gaza, ndërsa 24 prej tyre besohet se janë gjallë.

Pesë prej pengjeve në Gaza besohet se janë shtetas amerikanë dhe ushtari Alexander mendohet se është i vetmi prej tyre që është ende gjallë.

Hamasi më vonë të martën publikoi një video drejtuar familjeve të pengjeve të mbetura në Gaza, duke paralajmëruar se ato do të kthehen në arkivole, nëse Izraeli e vazhdon ofensivën e vet ushtarake në enklavën palestineze.

Të shtunën, Hamasi kishte publikuar një video të ushtarit peng, në të cilën ai shihej i gjallë, duke bërë lutje që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, të negocionin për lirimin e tij./Nacionale

Lajme të ngjashme