Hamasi thotë se do të lejojë ndihma për pengjet, nëse Izraeli i ndal sulmet ajrore
Hamasi tha të dielën se është i përgatitur për t’u bashkërenduar me Kryqin e Kuq për t’u shpërndarë ndihma pengjeve që është duke i mbajtur në Gaza, nëse Izraeli plotëson disa kushte, pasi një video që e publikoi grupi dhe ku shihej një peng në gjendje jo të mirë nxiti kritika të ashpra nga fuqitë perëndimore.
Hamasi tha se çfarëdo bashkërendimi me Kryqin e Kuq varet nga fakti nëse Izraeli do të hapë në mënyrë të përhershme korridore humanitare dhe nëse do t’i ndalë sulmet ajrore gjatë shpërndarjes së ndihmave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas zyrtarëve izraelitë, 50 pengje ndodhen ende në Gaza dhe vetëm 20 prej tyre besohet se janë ende gjallë. Deri më tani, Hamasi nuk i ka lejuar organizatat humanitare që të kenë ndonjë lloj të qasjes te pengjet dhe familjet dinë pak ose aspak hollësi për kushtet e tyre.
Të shtunën, Hamasi e publikoi videon e dytë brenda dy ditëve të pengut izraelit, Evyatar David. Në të, pengu dukej thatanik dhe duke hapur një gropë për të cilën në video thotë se do të jetë varri i tij. Krahu i personit që po e mbante kamerën, që mund të shihet në ekran, kishte trashësi normale.
Videoja e pengut nxiti kritika nga fuqitë perëndimore dhe izraelitët e tmerruar. Franca, Gjermania, ShBA-ja dhe Britania ishin në mesin e shteteve që shprehën zemërim dhe Ministria e Jashtme e Izraelit njoftoi se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një mbledhje special të martën në mëngjes për situatën e pengjeve në Gaza.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të dielën se kishte kërkuar nga Kryqi i Kuq që t’u jepte pengjeve asistencë humanitare gjatë një bisede me kreun e një delegacioni lokal të kësaj organizate.
Në një deklaratë të Forumit të Familjeve të Pengjeve, i cili i përfaqëson të afërmit e atyre që janë duke u mbajtur në Gaza, thuhet se komentet e Hamasit për pengjet nuk mund ta fshehin faktin se grupi “ka qenë duke mbajtur njerëz të pafajshëm në kushte të pamundshme për më shumë se 660 ditë” dhe u kërkua lirimi i tyre i menjëhershëm.
“Deri në lirimin e tyre, Hamasi e ka për detyrë që t’u ofrojë atyre gjithçka për të cilën kanë nevojë. Hamasi i rrëmbeu ata dhe ai duhet të kujdeset për ta. Secili peng që vdes do të jetë përgjegjësi e Hamasit” – thuhet në deklaratë./Nacionale