Hamasi thotë se do të dorëzojë edhe dy pengje të vdekura të martën në mbrëmje - NACIONALE

Hamasi thotë se do të dorëzojë edhe dy pengje të vdekura të martën në mbrëmje

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Hamasi njoftoi të martën se do t’ia dorëzojë Izraelit trupat e dy pengjeve të vdekura në orën 21:00, një ditë pasi e dorëzoi trupin e pengut Tal Haimi.

Krahu ushtarak i Hamasit tha se dy pengjet e vdekura që do të dorëzohen “u nxorën sot në Rripin e Gazës”, por nuk i identifikoi ato, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Gjatë dorëzimit të trupave të tjerë, kufomat ishin transportuar nga Kryqi i Kuq deri te forcat izraelite dhe më pas ishin dërguar në institutin e forenzikës “Abu Kabir” në Tel-Aviv për identifikim.

Në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit, Hamasi të hënën e kaluar i liroi 20 pengjet e fundit të gjalla, brenda 72 orësh nga tërheqja e forcave izraelite në Vijën e Verdhë. Hamasi gjithashtu i ka kthyer mbetjet e 13 pengjeve të vdekura që nga fillimi i armëpushimit.

Në mesin e 15 pengjeve të vdekura që nuk janë kthyer ende është një ushtar i vrarë gjatë luftimeve në luftën e vitit 2014 – pengu i fundit para periudhës së sulmit të vitit 2023, i cili më pas do ta nxiste fillimin e luftës.

Ndërkohë, Kryqi i Kuq tha të martën se e lehtësoi transferimin e 15 trupave të palestinezëve nga Izraeli në Gaza sipas marrëveshjes së armëpushimit. Kështu, numri i përgjithshëm i trupave të dorëzuar të palestinezëve shkoi në 165.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, Izraeli i kthen trupat e 15 palestinezëve për secilin trup të pengjeve që dorëzohet nga Hamasi.

Më herët të martën, dy ushtarë izraelitë pësuan lëndime të lehta, pasi tanku në të cilin ndodheshin u godit nga një mjet shpërthyes në zonën e qytetit Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, tha ushtria izraelite./Nacionale

Lajme të ngjashme