Hamasi paraqet një propozim të ri për armëpushim - NACIONALE

Hamasi paraqet një propozim të ri për armëpushim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Hamasi ua ka paraqitur një propozim për armëpushim në Gaza ndërmjetësve dhe ShBA-së, në të cilin përfshihet lirimi i pengjeve izraelite në këmbim të lirisë për të burgosur palestinezë, 100 prej të cilëve janë duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm, sipas propozimit që e ka parë agjencia “Reuters”.

Hamasi tha se në lirimin fillestar të izraelitëve do të përfshiheshin gratë, fëmijët, të moshuarit dhe pengjet e sëmura në këmbim të lirimit të 700 deri në 1.000 të burgosurve palestinezë, sipas propozimit. Aty përfshihet edhe lirimi i “rekruteve izraelite”, raporton agjencia “Reuters”.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të enjten se një propozim i ri i Hamasit për armëpushim në Gaza, që u është paraqitur ndërmjetësve, ende është i mbështetur në “kërkesa joreale”.

Më tej, kjo zyrë tha se një përditësim për çështjen do t’u paraqitet kabinetit të luftës dhe kabinetit të gjerë të sigurisë të premten.

Egjipti dhe Katari janë përpjekur që t’i ngushtojnë dallimet mes Izraelit dhe Hamasit për formën e armëpushimit, përderisa kriza humanitare që po thellohet e ka lënë çerekun e popullsisë në Gaza në rrezik prej vdekjes nga uria.

Hamasi tha se bisedimet për armëpushim kishin çaluar gjatë javëve të fundit për shkak të refuzimit të kërkesave të këtij grupi nga Netanyahu, ku përfshihen një armëpushim i përhershëm, tërheqja e forcave izraelite nga Rripi i Gazës, kthimi i të zhvendosurve në jug të enklavës drejt pjesëve qendrore e veriore si dhe shtimi i ndihmave pa kufizime.

Muajin e kaluar, Hamasi pranoi një draft-propozim nga bisedimet për armëpushim në Gaza në Paris, ku përfshiheshin një pauzë 40-ditore në luftime dhe shkëmbimi i të burgosurve palestinezë me pengjet izraelite në raportin dhjetë me një.

Lajme të ngjashme