Hamasi i gatshëm t’i lirojë të gjitha pengjet në këmbim të përfundimit të luftës në Gaza
Hamasi dëshiron një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për t’i këmbyer të gjitha pengjet izraelite me palestinezë të burgosur në Izrael, tha një zyrtar i lartë i grupit militant palestinez, duke refuzuar një ofertë të Izraelit për armëpushim të përkohshëm.
Në një fjalim të transmetuar në televizion, Khalil Al-Hayya, shef i Hamasit në Gaza që e udhëheq ekipin negociues të grupit, tha se Hamasi nuk do të pajtohet më për marrëveshje të përkohshme, duke zbatuar një pozicion të cilin Izraeli s’pritet ta pranojë dhe duke e shtyrë potencialisht përfundimin e sulmeve shkatërruese që rinisën javëve të fundit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Hayya tha se Hamasi është i gatshëm që menjëherë të angazhohet në “bisedime për pako gjithëpërfshirëse” për lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura në këmbim të përfundimit të luftës në Gaza, për lirimin e palestinezëve të burgosur nga Izraeli dhe për rindërtimin e enklavës palestineze.
“Netanyahu dhe qeveria e tij i shfrytëzojnë marrëveshjet e pjesshme si mbulesë për agjendën e tyre politike, e cila është e bazuar në vazhdimin e luftës së shfarosjes dhe vdekjes nga uria, edhe nëse çmimi është sakrifikimi i të gjithë të burgosurve (pengjeve) të tij” – tha zyrtari i lartë i Hamasit, duke iu referuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. “Ne nuk do të jemi pjesë e kalimit të kësaj politike” – shtoi Haaya.
Ndërmjetësit egjiptianë kanë qenë duke punuar për ta ringjallë marrëveshjen e janarit për armëpushim, me të cilën ishin ndalur luftimet në Gaza para se pakti të shembej muajin e kaluar, por ka pasur pak shenja të progresit. Izraeli e Hamasi e kanë fajësuar njëri-tjetrin.
“Komentet e Hamasit tregojnë se ata nuk janë të interesuar për paqe, por për dhunë të përhershme. Kushtet e bëra nga administrata e Trumpit nuk kanë ndryshuar: lirojini të gjitha pengjet ose ballafaqohuni me ferrin” – tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, James Hewitt./Nacionale