Hamasi e shfrytëzon deklaratën e Hagarit: Izraeli e pranoi se tashmë ka dështuar
Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se deklarata e zëdhënësit kryesor të ushtrisë izraelite, Kundëradmiral Daniel Hagari, se ky grup nuk mund të eliminohet, është “pranim që [Izraeli] tashmë ka dështuar”.
Duke e quajtur deklaratën e Hagarit “rrëfim të sinqertë”, anëtari i byrosë politike të Hamasit, Ghazi Hamad, tha në një intervistë me televizionin “Al Jazeera” se pas nëntë muajve luftë, është e qartë se Hamasi nuk mund të eliminohet, edhe nëse Izraeli përdor qindra herë më shumë municion, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Kjo do ta ndryshojë rrjedhën e historisë dhe do ta bindë komunitetin ndërkombëtar se lëvizja e Hamasit do të mbetet në skenën politike dhe do të jetë pjesë e përhershme e strukturës shoqërore dhe e strukturës së rezistencës” – tha Hamadi, i cili ishte larguar nga Gaza pak para sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit.
Hamadi argumentoi se komentet e Hagarit janë dëshmi e mosmarrëveshjeve brenda qeverisë izraelite dhe se izraelitët po i thonë kryeministrit Benjamin Netanyahu që ta ndalë luftën.
Çka tha Hagari?
“Kjo puna e shkatërrimit të Hamasit, e zhdukjes së Hamasit – është thjesht hedhje e rërës në sytë e publikut” – tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite në intervistën me televizionin “Channel 13”.
“Hamasi është ide. Hamasi është parti. Është i rrënjosur në zemrat e njerëzve – kushdo që mendon se ne mund ta eliminojmë Hamasin, e ka gabim” – tha Hagari në intervistë.
Deklarata e tij nxiti kundërpërgjigje të shpejtë nga zyra e kryeministrit Netanyahu, e cila tha se kabineti i sigurisë “e ka përcaktuar si njërin nga qëllimet e luftës shkatërrimin e aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit”.
“Forcat e Mbrojtjes të Izraelit natyrisht se janë të përkushtuara për këtë” – thuhet më tej në deklaratën e zyrës së kryeministrit izraelit.