Guterresi bën thirrje që menjëherë të ndalen operacionet izraelite në Bregun Perëndimor
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të operacionit izraelit në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Përmes një shkrimi në rrjetin X, zyrtari i lartë tha se zhvillimet e fundit në Bregun Perëndimor “janë thellësisht shqetësuese”, raporton televizioni BBC.
“Unë e dënoj fuqishëm humbjen e jetëve, përfshirë fëmijët, dhe bëj thirrje për ndërprerje të menjëhershme të këtyre operacioneve” – shtoi ai.
Të enjten në mëngjes, forcat izraelite të sigurisë thanë se kishin vrarë “pesë terroristë të armatosur” që “po fshiheshin në një xhami” – gjatë një operacioni të kryer në qytetin e Bregut Perëndimor, Tulkarm.
Sipas ushtrisë izraelite, njëri nga të vrarët ishte drejtori i një “organizate terroriste” lokale në Nur Shams, Muhhamad Jabber.
Më tej, ushtria tha se njëri nga oficerët izraelitë që ishte përfshirë në shkëmbimin e zjarrit ishte lënduar lehtë dhe ishte dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit që t’i ndërmarrë “të gjitha masat e realizueshme” për ta mbrojtur jetën e civilëve në Bregun Perëndimor.
Në një deklaratë, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha: “Ne i njohim nevojat shumë reale të Izraelit për siguri, ku përfshihet kundërvënia ndaj aktivitetit terrorist në Bregun Perëndimor. Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë që të këmbëngulim që autoritetet izraelite të ndërmarrin masa për t’i mbrojtur të gjithë civilët nga lëndimi.”
Më tej, zëdhënësi amerikan tha se Shtëpia e Bardhë mbetet “thellësisht e shqetësuar për ruajtjen e stabilitetit në Bregun Perëndimor”.