Grupi “Wagner” thotë se nuk është duke luftuar në Ukrainë
Grupi mercenar rus, “Wagner”, tha të hënën se është duke operuar vetëm në Afrikë dhe në Bjellorusi dhe se luftëtarët e tij nuk janë duke luftuar më në luftën e Ukrainës.
Ukraina të dielën i bëri thirrje Bjellorusisë që t’i tërheqë ato që i përshkroi si forca domethënëse të dislokuara përgjatë kufirit mes dy vendeve. Kievi tha se aty përfshiheshin forcat speciale bjelloruse dhe ish-mercenarë të grupit “Wagner”, raporton agjencia “Reuters”.
Në një deklaratë të rrallë, grupi rus tha se punëtorët e tij punojnë vetëm në Afrikë dhe në Bjellorusi.
“Nuk ka divizione të kompanisë në Gardën Kombëtare Ruse, në rangjet e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë ose kudo tjetër” – tha ky grup.
Më tutje, në deklaratë thuhet se “Wagner”-i “nuk është duke marrë pjesë në Operacionin Special Ushtarak në këtë fazë”, duke e përdorur shprehjen e parapëlqyer të Kremlinit për luftën në Ukrainë. Agjencia “Reuters” nuk arriti që ta vërtetonte këtë pohim.
“Në rast të një ndryshimi në situatë, ai do të njoftohet” – tha grupi i mercenarëve.
Roli i “Wagner”-it në Afrikë, për shembull në mbështetje të qeverisë ushtarake në Mali, është burim shqetësimi për Perëndimin.
Në Ukrainë, ky grup ishte i përfshirë thellë në pjesën e parë të luftës së Rusisë, sidomos në betejën për qytetin ukrainas, Bakhmut, të cilin më në fund e kishte marrë nën kontroll në maj të vitit 2023.
Muajin pasues, themeluesi i grupit, Yevgeny Prigozhin, udhëhoqi një kryengritje të shkurtër kundër udhëheqësve rusë të mbrojtjes. Ai dhe figura të tjera të larta të “Wagner”-it e humbën jetën nga rrëzimi i aeroplanit me të cilin po udhëtonin më 23 gusht 2023./Nacionale