Grupi Kataib Hezbollah thotë se i ka pezulluar sulmet ndaj forcave amerikane - NACIONALE

Grupi Kataib Hezbollah thotë se i ka pezulluar sulmet ndaj forcave amerikane

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Grupi i armatosur irakian me lidhje me Iranin, Kataib Hezbollah, njoftoi të martën për pezullimin e të gjitha operacioneve ushtarake të tij kundër trupave të ShBA-së në rajon. Në njoftim thuhet se qëllimi i vendimit është që të parandalohet “turpërimi” i qeverisë irakiane.

“Përderisa e njoftojmë pezullimin e operacioneve ushtarake e të sigurisë kundër forcave pushtuese – me qëllim që të parandalohet turpërimi i qeverisë irakiane – ne do të vazhdojmë që t’i mbrojmë njerëzit tanë në Gaza në mënyra të tjera” – thuhet në një deklaratë të sekretarit të përgjithshëm të këtij grupi, Abu Hussein al-Hamidawi.

Tre ushtarë amerikanë u vranë nga një sulm me dron afër kufirit Jordani – Siri të dielën, për të cilin Pentagoni tha se i kishte shenjat e grupit Kataib Hezbollah, edhe pse një vlerësim përfundimtar nuk është bërë ende, raporton agjencia “Reuters”.

Një zëdhënës i Pentagonit refuzoi që ta komentonte deklaratën e grupit, duke shtuar: “Veprat flasin më shumë se fjalët.” Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të kundërpërgjigjen ndaj sulmit me dron.

Grupet e lidhura me Iranin, të njohura së bashku si “Boshti i Rezistencës”, kanë kryer sulme kundër caqeve izraelite e amerikane nga Libani, Jemeni, Iraku e Siria që nga fillimi i luftës Izrael – Hamas në Gaza më 7 tetor.

Grupi Kataib Hezbollah është më i fuqishmi në Rezistencën Islamike në Irak, grup i organizatave shiite me pikëpamje të ashpra që e kanë marrë përgjegjësinë për më shumë se 150 sulme ndaj forcave amerikane në Irak dhe Siri që nga fillimi i luftës në Gaza.

Shtetet e Bashkuara janë kundërpërgjigjur me sulme vdekjeprurëse në një cikël të eskalimit të dhunës, për të cilin zyrtarët irakianë kanë thënë se rrezikon që ta zhbëjë përparimin drejt normalizimit të vendit pas disa dekadave në konflikt.

Vendimi i grupit Kataib Hezbollah për t’i pezulluar sulmet ndaj forcave amerikane vjen pas përpjekjeve intensive të kryeministrit irakian për të parandaluar një eskalim të ri pas sulmit në Jordani, tha këshilltari i tij për punë të jashtme, Farhad Alaadin.

“Kryeministri Mohammed Shia Al-Sudani ka qenë duke punuar shumë në ditët e fundit, duke u angazhuar me të gjitha palët përkatëse brenda dhe jashtë Irakut. Të gjitha palët duhet t’i përkrahin përpjekjet e kryeministrit për të parandaluar çfarëdo eskalimi të mundshëm” – tha këshilltari irakian në një intervistë.

Në deklaratën e tij, grupi Kataib Hezbollah gjithashtu tha se ka mosmarrëveshje me aleatët për sulmet e tij, duke e veçuar Iranin.

Aty theksohet se homologët në Boshtin e Rezistencës “shpesh ankohen ndaj presionit dhe eskalimit kundër forcave pushtuese amerikane në Irak dhe Siri”.

Irani ka mohuar se është i përfshirë në sulmet e kryera nga grupet irakiane.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme