Grupi amerikan që shpërndan ndihma në Gaza e shtyn rihapjen e qendrave
Një kompani private kundërthënëse që po shpërndan ndihma në Gaza, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, ende nuk i hapi pikat e saj të shpërndarjes në mëngjesin e së enjtes, një ditë pasi i kishte mbyllur pas një vargu të të shtënave vdekjeprurëse me armë afër qendrave të saj.
Fondacioni Humanitar i Gazës, me bazë në ShBA, kishte thënë të mërkurën se pikat e saj të ndihmave nuk do të rihapeshin në kohën e tyre për shkak të punimeve të mirëmbajtjes dhe riparimit. Nuk u tregua se kur do të rihapeshin qendrat, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një baba palestinez i katër fëmijëve në qytetin Khan Younis të Gazës, i cili kërkoi që të mos identifikohej për shkak të shqetësimit për sigurinë, i tha agjencisë “Reuters” se qendra e Fondacionit Humanitar të Gazës në qytetin Rafah nuk ishte hapur ende në mëngjes.
Fondacioni Humanitar i Gazës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Në disa incidente është raportuar për dhjetëra të vrarë gjatë lëvizjes së turmave afër qendrave për shpërndarjen e ndihmave. Izraeli ka mohuar se trupat e tij kanë shtënë në drejtim të civilëve, por palestinezët thonë se njerëzit u vranë nga zjarri izraelit./Nacionale