Grupet për të drejtat e njeriut me paralajmërim për ata që shkojnë në Florida për Kupën e Botës
Një koalicion i organizatave civile dhe për të drejtat e njeriut të premten lëshuan një paralajmërim për udhëtime në Florida të Shteteve të Bashkuara para Kupës së Botës në futboll që mbahet këtë vit në ShBA, Kanada e Meksikë.
Këto organizata i paralajmëruan vizitorët se shtimi i masave për zbatimin e ligjit në lidhje me emigrantët mund ta rrisë rrezikun për profilizim racor, ndalim e dëbim të gabuar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Grupet thanë se u bëjnë thirrje turistëve dhe tifozëve mysafirë që “të ushtrojnë kujdes ekstrem”, të bartin me vete dokumente identifikimi tërë kohën dhe t’i regjistrojnë planet e udhëtimit në konsullatat e vendeve të tyre para arritjes.
Ato gjithashtu i këshilluan udhëtarët që ta rishqyrtonin vendimin për ta vizituar këtë shtet të ShBA-së derisa të adresohet ajo që e përshkruan si mungesë e llogaridhënies dhe transparencës në praktikat e zbatimit të ligjit.
“Florida nuk është më destinacion i sigurt për turistët ndërkombëtarë” – tha në një deklaratë Tessa Petit, drejtoreshë ekzekutive e Koalicionit të Floridës për Imigrantët, duke pretenduar se vizitorët dhe banorët mund të ndalohen pa shkak dhe mund të vihen në shënjestër në bazë të dukjes, gjuhës ose theksit të tyre.
Zyrtarët e turizmit në Florida e kritikuan këtë paralajmërim. “Këto ‘udhëzime’ janë qesharake dhe, fatkeqësisht, marifete të motivuara politikisht që pa nevojë synojnë ta dëmtojnë shtetin dhe industrinë tonë” – tha Bryan Griffin, kryetar i grupit turistik “Vizitoje Floridën”.