Grupet paramilitare brenda Rusisë: Amerika distancon veten nga sulmi në Belgorod - NACIONALE

Grupet paramilitare brenda Rusisë: Amerika distancon veten nga sulmi në Belgorod

1 javë më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë distancuar veten nga sulmi që po ndodh brenda Rusisë – për të cilin Moska thotë se ka përfunduan me mposhtjen e kryengritësve të armatosur që u futën nga Ukraina.

Pjesë të rajonit kufitar të Belgorodit ishin nën sulm të hënën, në një prej sulmeve më të mëdha ndërkufitare prej që Rusia nisi invazionin e saj ndaj Ukrainës.

Rusia më pas publikoi disa fotografi të pajisjeve të dëmtuara apo braktisura ushtarake, përfshirë edhe disa Humvee të prodhuara nga ShBA-ja, raporton BBC.

ShBA-ja insistoi që nuk kishte “inkurajuar apo mundësuar sulme brenda Rusisë”.

Një zëdhënës i departamentit të shtetit pranoi raportimet që “qarkullonin në media sociale dhe tjetërkund” se ishin përdorur armë nga ShBA-ja, por tha që ky shtet ishte “skeptik në këtë kohë për vërtetësinë e këtyre raportimeve”.

Në një konferencë për shtyp, Matthew Miller shtoi: “I mbetet Ukrainës të vendos se si ta bëjë këtë luftë.”

Disa ekspertë ushtarakë ukrainas kanë nënkuptuar se imazhet e pajisjeve të shkatërruara amerikane të lansuara nga Rusia mund të ishin të inskenuara.

Fshatra në Belgorod afër kufirit ishin evakuuar pasi u sulmuan. Rusia ka thënë se 70 sulmues ishin vrarë, dhe ka insistuar që ata ishin ukrainas.

Por Kievi e ka mohuar çdo përfshirje të mundshme – ndërsa dy grupe paramilitare që kundërshtojnë presidentin rus Vladimir Putin kanë thënë që qëndrojnë prapa sulmit.

Sulmi i të hënës bëri që Moska të shpallte një operacion të kundër-terrorizmit, duke iu dhënë autoriteteve pushtet të veçantë mbi komunikimet dhe lëvizjet e njerëzve.

Masat u hoqën vetëm pasditen e të martës, dhe madje edhe atëherë, një nga dy grupet paramilitare pretendonte se kishte nën kontroll një pjesë të vogël të territorit rus.

Guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov ka deklaruar se një civil ka vdekur gjatë dhunës, dhe disa të tjerë janë plagosur.

Në një zhvillim të mëvonshëm, ai ka thënë se rajoni ishte shënjestër e sulmeve të një numri “të madh” me dronë.

Lajme të ngjashme