Gruaja e Vitit: Ursula von der Leyen - NACIONALE

Gruaja e Vitit: Ursula von der Leyen

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një vit të shënuar nga përmbysja ekonomike, lufta në Ukrainë dhe pandemia e koronavirusit, presidentja e Komisionit Evropian, gruaja e parë që e ka këtë pozitë të lartë, ka qenë e qëndrueshme dhe e fuqishme.

Duke e mbajtur fjalimin vjetor në Parlamentin Evropian në Strasburg të Francës, në shtator, Ursula von der Leyen, gruaja e parë që shërben si presidente e Komisionit Evropian, bëri një paraqitje goditëse pamore politike. Kishte veshur një xhaketë të verdhë e një bluzë të kaltër dhe, duke qëndruar përballë 12 yjeve të Bashkimit Evropian, dukej si një flamur i gjallë ukrainas që po merrte frymë.

“Kjo është luftë ndaj energjisë sonë, luftë ndaj ekonomisë sonë, luftë ndaj vlerave tona dhe luftë ndaj të ardhmes sonë”- tha ajo, duke iu referuar pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia. “Kjo ka të bëjë me autokracinë kundër demokracisë”- shtoi zonja Von der Leyen, duke bërë një zotim: “Dua ta bëj shumë të qartë: sanksionet janë këtu për të qëndruar. Kjo është koha që ne të tregojmë vendosmëri, jo zbutje.”

Disa qytetarë të vendeve të BE-së ballafaqohen me dimër të ftohtë pa gazin natyror rus, i cili ua ngroh shtëpitë. Të tjerë ndodhen në vijën e drejtpërdrejtë të zjarrit, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, ndihet i trimëruar për ta zgjeruar agresionin e tij. Disi, Von der Lyen ka arritur që t’i bashkojë ata njerëz për t’i bërë sakrificat e nevojshme për të qëndruar të pandarë kundër Putinit. E zgjedhur në vitin 2019, Von der Leyen e menaxhon buxhetin prej më shumë se 300 miliardë eurosh të BE-së, punon drejt konsensusit me 27 krerë shtetesh që përfaqësojnë 450 milionë njerëz.

Vitin e kaluar, Von der Leyen ishte e teta në Listën e 100 Grave më të Fuqishme të Botës në revistën “Forbes”. Këtë vit, ajo kërcen në vendin e parë si rezultat i përkrahjes së saj të fuqishme dhe vendimtare për Ukrainën, si dhe për lidershipin e saj të vazhdueshëm për ta nxjerrë Evropën nga pandemia e koronavirusit.

Përkrahja e saj për Ukrainën ishte e shpejtë dhe e gjerë. Rreth një javë pasi Putini i dërgoi raketat para drejt Kievit në shkurt, Von der Leyen u zotua për bllokimin e transaksioneve nga banka qendrore e Rusisë, për mbylljen e qiellit të Evropës për aeroplanët rusë dhe për t’i ndaluar agjencitë e lajmeve të Kremlinit. Në prill, ajo u bë zyrtarja e rangut më të lartë të BE-së që e vizitoi Ukrainën dhe u takua me presidentin Volodymyr Zelensky. Në maj, ajo nisi një rund të ri e më të ashpër të sanksioneve kundër Rusisë, kësaj radhe duke kërkuar nga udhëheqësit evropianë që të pajtohen për “ndalimin e plotë” të naftës së papërpunuar ruse. Disa e kritikuan propozimin e saj për mungesë të specifikave, por në qershor, Von der Leyen arriti që të njoftonte për një masë që do ta pakësonte për 90 për qind importimin e naftës ruse në BE.

“Ajo vërtet është në kulmin e kompetencave të saj tash për tash”- thotë Matthias Matthijs, anëtar i Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme dhe profesor i asocuar në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins”. Përderisa Von der Leyen nuk ka qenë udhëheqësja e vetme globale që i ka vendosur sanksione Rusisë, Matthijs thotë se ajo është ballafaquar me punë më të vështirë – për t’i bindur vendet e BE-së që vendosja e sanksioneve është gjëja e duhur për t’u bërë, sepse do t’u kushtojë më shumë atyre se qytetarëve të vendeve të tjera.

“Ajo duhet të ndërmjetësojë për konsensus në mesin e 27 shteteve anëtare, të cilat janë shumë të ndryshme në aspektin kulturor”- thotë Anja Langenbucher, drejtore e Zyrës Evropiane të Fondacionit “Gates”. “Dhe ajo është e shkëlqyeshme në këtë”- shtoi Langenbucher-i. Fondacioni “Gates” ia ka dhënë Von der Leyen-it Çmimin “Mbrojtësja Globale” për vitin 2022 për lidershipin e saj gjatë rimëkëmbjes së Evropës nga pandemia e koronavirusit, pasi presidentja udhëhoqi një pako prej 800 miliardë eurosh në verën e vitit 2020 dhe që hyri në fuqi më 2021.

Sfondi i saj si mjeke dhe si nënë e shtatë fëmijëve mund të shpjegojë pse ka shkathtësi për ta shuar mungesën e harmonisë. Puna e saj e parë ishte mjeke në një klinikë për gra në atdheun e saj, në Gjermani. Ajo nuk hyri në politikë deri në të dyzetat, pastaj ia doli të zhvendosej nga zyrat lokale e të bëhej ministre federale e Çështjeve Familjare dhe Rinisë më 2005, kur kishte dhënë ndihmë për nisjen e reformave kritike në sistemin e kujdesit për fëmijë në Gjermani. Nga viti 2013 deri më 2019, shërbeu si gruaja e parë ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë.

“Ajo ishte e jashtëzakonshme në aspektin e krijimit të objekteve për planifikim prindëror e kujdes ndaj fëmijëve, të cilat thjesht nuk ekzistonin më parë në Gjermani”- thotë Vivien Schmidt, profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Boston-it dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Evropës në këtë universitet.

Agjenda të cilën e krijoi Von der Leyen-i para se të zgjidhej më 2019, thotë Schmidt-i, ishte një arsye e madhe pse ajo ia doli të vepronte në mënyrë aq vendimtare për pakon e rimëkëmbjes nga koronavirusi. Dukej si “zog në hava” më 2019, por në sfondin e izolimeve e paqartësisë ekonomike të vitit 2020, idetë e Von der Leyen-it për adresimin e pabarazisë sociale, për fuqizimin e zotimeve mjedisore të Evropës dhe për përshpejtimin e transformimit digjital u panë të nevojshme.

“Ajo e ka ndjenjën e momentit dhe ajo ka, mendoj unë, një ndjenjë të fuqishme morale për atë se çfarë është gjëja e duhur”- thotë Schmidt-i.

Tash për tash, kjo e nënkupton vazhdimin e mbajtjes së vijës kundër Rusisë. Më 30 nëntor, Von der Leyen-i propozoi që të themelohet një gjykatë speciale për t’i “hetuar dhe ndjekur penalisht” krimet e pretenduara të luftës së Rusisë.

“E kemi nxjerrë në sipërfaqe fuqinë e brendshme të Evropës dhe do të na nevojitet tërë kjo fuqi”- tha Von der Leyen-i.

Lajme të ngjashme