Grossi: Irani po e shtyp pedalen e gasit në pasurimin e uraniumit - NACIONALE

Grossi: Irani po e shtyp pedalen e gasit në pasurimin e uraniumit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi, tha të mërkurën se Irani “po e shtyp pedalen e gasit” në pasurimin e uraniumit drejt arritjes së shkallës së armëve, duke shtuar se përshpejtimi i njoftuar rishtazi në pasurim ka filluar që të hyjë në fuqi.

Grossi tha muajin e kaluar se Irani e kishte njoftuar Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore se do ta përshpejtonte “në mënyrë dramatike” pasurimin e uraniumit me pastërti deri në 60 për qind, më afër shkallës prej 90 për qind që nevojitet për të prodhuar armë bërthamore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Fuqitë perëndimore e cilësuan këtë hap si përshkallëzim serioz dhe thanë se nuk ka justifikim civil për pasurim në atë nivel dhe se asnjë shtet nuk ka vepruar kështu pa prodhuar armë bërthamore. Irani ka thënë se programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor dhe se ka të drejtë për të pasuruar uranium në çfarëdo niveli që dëshiron.

“Më parë, [Irani] ishte [duke prodhuar] pak a shumë shtatë kilogramë [uranium të pasuruar deri në 60 për qind] në muaj, tani është mbi 30 [kilogramë] ose më shumë se kaq. Prandaj, unë mendoj se ky është një tregues i qartë i një përshpejtimi. Ata po e shtypin pedalen e gasit” – tha Grossi para gazetarëve në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Sipas standardit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, rreth 42 kilogramë uranium të pasuruar në atë nivel mjaftojnë, në parim, nëse pasurohen më tej, për një bombë bërthamore. Grossi tha se Irani tani për tani ka rreth 200 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin deri në 60 për qind.

Prapëseprapë, ai tha se do të nevojitej kohë për të futur në funksion centrifuga shtesë – makina që e pasurojnë uraniumin – por se përshpejtimi po fillon të ndodhë.

“Ne do të fillojmë të shohim rritje të qëndrueshme nga tani” – paralajmëroi Grossi, duke bërë thirrje për diplomaci mes Iranit dhe administratës së presidentit të ri amerikan, Donald Trump./Nacionale

Lajme të ngjashme