Gropa e gjerë 25 metra nxit hetime afër minierës së bakrit në Kili - NACIONALE

Gropa e gjerë 25 metra nxit hetime afër minierës së bakrit në Kili

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet kiliane janë duke hetuar një gropë me diametër prej rreth 25 metrash, që u shfaq në fundjavë në një zonë minierash.

Mediet lokale shfaqën pamje nga ajri të vrimës në zonën ku zhvillon veprimtari kompania kanadeze, “Lundin Mining”, rreth 665 kilometra në veri të kryeqytetit kilian, Santiago, shkruan "The Guardian".

Shërbimi kombëtar i gjeologjisë dhe minierave, Sernageomin, u njoftua për këtë gropë të shtunën dhe ka dërguar specialistë në zonë, tha drejtori i kësaj agjencie, David Montenegro.

“Është një largësi e konsiderueshme, përafërsisht 200 metra, deri në fund. Nuk kemi zbuluar ndonjë material atje poshtë, por e kemi parë praninë e një sasie të madhe uji”, tha ai.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën pasdite, kompania kanadeze tha se gropa nuk ka prekur ndonjë punëtor ose pjesëtar komunitetit dhe “ka mbetur e qëndrueshme” që nga koha e zbulimit.

“Pas zbulimit, zona u izolua menjëherë dhe autoritetet rregulluese përkatëse u njoftuan. Nuk ka pasur ndikim te personeli, pajisjet ose infrastruktura”, thuhet në deklaratë.

Kompania tha se është duke u zhvilluar një analizë teknike për ta vlerësuar shkaktarin e hapjes së gropës. “Shtëpia më e afërt është mbi 600 metra larg, ndërsa çfarëdo zone e populluar ose shërbim publik janë gati një kilometër larg nga zona e prekur”, thuhet më tej.

“Lundin Mining” ka në pronësi 80 për qind të zonës, ndërsa pjesa tjetër është në pronësi të kompanisë kanadeze, “Sumitomo Corporation”./Nacionale

Lajme të ngjashme