Greqia vendos kufizimeve për ta luftuar “murtajën e dhive” - NACIONALE

Greqia vendos kufizimeve për ta luftuar “murtajën e dhive”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Greqia e ka ndaluar transportimin e deleve dhe dhive në mbarë vendin në përpjekje për ta kufizuar përhapjen e një infeksioni shumë ngjitës të njohur si “murtaja e dhive”.

“Lëvizja e deleve dhe dhive për mbarështim, të majmë dhe therje është e ndaluar në tërë Greqinë” – tha Ministria e Bujqësisë, raporton televizioni BBC.

Kjo ministri tha se raste të reja të infeksionit janë zbuluar në rajonin qendror, Larisa, si dhe në Korint, në jug.

Virusi, i njohur edhe si “Peste des Petits Ruminants” (PPR), mund të mbysë nga 80 deri në 100 për qind të kafshëve të infektuara, por nuk i prek njerëzit.

Në një deklaratë të publikuar të hënën, Ministria e Bujqësisë tha se masa për ndalimin e lëvizjes së deleve dhe dhive është marrë “me qëllim të kufizimit të përhapjes dhe çrrënjosjes së sëmundjes”.

Më tej, kjo ministri tha se fermerët, prodhuesit e djathit, pronarët e thertoreve dhe furnizuesit e ushqimit janë njoftuar për kufizimet e reja.

Në fundjavë, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë mbajtën takime urgjente me autoritetet lokale në rajonet ku ishin zbuluar raste të PPR-së.

Ministria tha se është duke u zhvilluar një hetim për ta përcaktuar burimin e infeksionit, pa i përjashtuar “importet e dyshimta” nga vendet e huaja.

Greqia gjithashtu po bën punë ndërlidhëse me BE-në dhe shërbimet veterinare të vendeve anëtare të bllokut.

Sipas rregullave të BE-së, tërë tufa duhet të asgjësohet porsa të zbulohet një rast i PPR-së në mënyrë të konfirmuar, ndërsa ferma e prekur duhet të dezinfektohet./Nacionale

Lajme të ngjashme