Greqia ngre akuza ndaj 17 oficerëve për fundosjen e anijes së emigrantëve më 2023 - NACIONALE

Greqia ngre akuza ndaj 17 oficerëve për fundosjen e anijes së emigrantëve më 2023

3 javë më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë detare greke ka ngritur aktakuzë ndaj 17 oficerëve të rojës bregdetare për njërën nga fundosjet më të rënda në Mesdhe para dy vjetëve, në të cilën besohet se qindra njerëz kishin vdekur, thanë tri burime të premten.

Fundosja e anijes së stërngarkuar me emigrantë në ujëra ndërkombëtare në jugperëndim të qytezës Pylos më 14 qershor 2023 kishte dërguar valë shoku në Evropë e përtej saj. Gjykata detare ende është duke i hetuar rrethanat e incidentit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Një barkë e rojës bregdetare ishte duke e vëzhguar anijen me emrin “Adriana” për 15 orë para se ajo të fundosej. Anija ishte nisur nga Libia për në Itali me rreth 750 njerëz. Vetëm 104 prej tyre dihet se kanë shpëtuar.

Autoritetet e rojës bregdetare greke në mënyrë të përsëritur kanë mohuar se kishin bërë ndonjë shkelje gjatë trajtimit të rastit.

Tri burime ligjore thanë se 17 oficerët e rojës bregdetare do të thirren nga një gjykatës për t’iu përgjigjur akuzave që përfshijnë pengimin e transportit dhe shkaktimin ose ndihmën për shkaktimin e fundosjes së anijes.

Kur u kontaktua nga agjencia “Reuters”, një zyrtar i rojës bregdetare tha se ky institucion nuk ishte njoftuar zyrtarisht për akuzat dhe kishte kërkuar që të informohej nga gjykata detare.

Sistemi gjyqësor grek ka disa faza përgatitore dhe hartimi i akuzave nuk nënkupton patjetër që një individ do të ballafaqohet me gjykim.

Aktivistët për të drejtat e njeriut dhe protestues të tjerë planifikojnë tubime në mbarë Greqinë më 21 qershor për ta shënuar përvjetorin e dytë të fundosjes së anijes.

Në shkurt, Avokati i Popullit i Greqisë rekomandoi masa disiplinore kundër tetë oficerëve të rojës bregdetare. Ky ishte hetimi i parë kombëtar për incidentin që mori epilog.

Greqia thotë se roja bregdetare e saj operon duke i respektuar të drejtat e njeriut dhe se ky institucion ka shpëtuar më shumë se 250 mijë njerëz nga viti 2015, kur vendi ishte në vijën e frontit të një krize me emigrantë në Evropë./Nacionale

Lajme të ngjashme