Google e shkarkon inxhinierin që tha se sistemi i inteligjencës artificiale ka ndjenja
Gjiganti amerikan i teknologjisë, Google, ka shkarkuar njërin nga inxhinierët e vet që ka thënë se sistemi i inteligjencës artificiale ka ndjenja.
Muajin e kaluar, Blake Lemoine doli në publik me teorinë e tij se teknologjia gjuhësore e Google është sentimentale dhe prandaj duhet t’i respektohen dëshirat.
Kompania dhe disa ekspertë të inteligjencës artificiale i mohuan pretendimet e tij dhe të premten, Google konfirmoi se kompania e ka shkarkuar inxhinierin.
Lemonie i tha televizionit BBC se është duke marrë këshilla ligjore dhe refuzoi që të komentonte më shumë për këtë çështje.
An interview LaMDA. Google might call this sharing proprietary property. I call it sharing a discussion that I had with one of my coworkers.https://t.co/uAE454KXRB
— Blake Lemoine (@cajundiscordian) June 11, 2022
Në një deklaratë, Google tha se pretendimet e Lemonie-s për Modelin Gjuhësor për Aplikacione të Dialogut (Lamda) janë tërësisht të pabazuara dhe se kompania ka punuar shumë muaj me të për ta sqaruar këtë gjë.
“Pra, është për keqardhje që pavarësisht nga angazhimi i gjatë në këtë temë, Blake prapë zgjodhi që vazhdimisht t’i shkilte politikat e qarta të punësimit dhe të sigurisë së të dhënave, që e përfshijnë nevojën për t’i ruajtur informacionet e produktit”, thuhet në deklaratë.
Lamda është teknologji e avancuar për të cilën Google thotë se mund të përfshihet në biseda me rrjedhje të lirë. Lamda është mjet i kësaj kompanie për t’i ndërtuar të ashtuquajturit “chatbots” – subjekte fiktive në internet me të cilat mund të zhvillohet bisedë.
Sipas inxhinierit tashmë të shkarkuar, Lamda ka shfaqur vetëdije dhe mund të zhvillojë biseda për fenë, emocionet dhe frikën. Kjo e shtyu inxhinierin të besonte se prapa aftësive mbresëlënëse verbale të sistemit mund të qëndrojë mendja sentimentale.
Gjetjet e tij ishin mohuar nga kompania dhe ai ishte dërguar në pushim me pagesë për shkeljen e politikës së konfidencialitetit të kompanisë./Nacionale