Goditje poshtëruese: Bideni e fton, pastaj ia anulon ftesën kryeministrit të Gjeorgjisë
Kryeministrit të Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, i është anuluar ftesa për një ndejë për udhëheqës botërorë të organizuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, raportuan të mërkurën mediat gjeorgjiane, në goditjen më të re ndaj marrëdhënieve dikur të ngushta ShBA – Gjeorgji.
Zyrtarët gjeorgjianë iu thanë mediave lokale se Kobakhidze, që pritet t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të enjten, fillimisht ishte ftuar në organizim, por ftesa iu anulua nga pala amerikane. Ata raportuan se ShBA-ja i refuzoi të gjitha takimet me delegacionin e Kobakhidze-s, raporton agjencia “Reuters”.
Mediumi gjeorgjian, “InterPressNews”, e citoi ambasadën amerikane në Tbilisi të ketë thënë se ftesa ishte anuluar për ato që tha se ishin “veprime antidemokratike, dezinformata dhe retorikë negative drejt ShBA-së dhe Perëndimit” nga Qeveria e Gjeorgjisë.
Ky medium e citoi kryetarin e Kuvendit, Shalva Papuashvili, të ketë thënë se anulimi i ftesës ishte “joserioz”.
Gjerësisht pro-perëndimore dhe marrëse e rëndësishme e ndihmave amerikane që nga pavarësia prej Bashkimit Sovjetik më 1991, Gjeorgjia, kandidate për t’u anëtarësuar në BE, muajve të fundit ka pasur përkeqësim të marrëdhënieve me fuqitë perëndimore për shkak të akuzave për prirje autoritare dhe pro-ruse.
Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, që gjerësisht shihet si e kontrolluar nga ish-kryeministri miliarder, Bidzina Ivanishvili, në qershor miratoi një ligj kundër “agjentëve të huaj” që është dënuar nga vendet perëndimore, duke e cilësuar si të frymëzuar nga legjislacioni rus që përdoret për t’i shtypur kritikët e Kremlinit.
Ëndrra Gjeorgjiane do ta kërkojë mandatin e katërt në pushtet në zgjedhjet parlamentare të tetorit dhe Ivanishvili në mënyrë të përsëritur ka sugjeruar se nëse fiton, partia do të bëjë lëvizje për ta ndaluar opozitën pro-perëndimore, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare.
Sipas sondazheve, Ëndrra Gjeorgjiane mbetet partia më e popullarizuar, por ka humbur terren nga viti 2020, kur kishte fituar gati 50 për qind të votave dhe një shumicë të ngushtë parlamentare./Nacionale