Goditje për Tuskun e Polonisë – betohet presidenti nacionalist, Karol Nawrocki
Karol Nawrocki, historian konservator dhe mbështetës i lëvizjes MAGA të presidentit amerikan, Donald Trump, u betua të mërkurën si president i Polonisë, duke e ndërtuar skenën për konflikt me qeverinë polake dhe për marrëdhënie potencialisht më të ftohta me Ukrainën.
Nawrocki e bëri betimin e presidentit në një ceremoni që u mbajt në Kuvendin e Polonisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Fitorja e politikanit që mbështetet nga partia nacionaliste opozitare, Ligj dhe Drejtësi (PiS), i dha një goditje shpresës së kryeministrit Donald Tusk për betonimin e drejtimit pro Bashkimit Evropian që ai e kishte nisur.
Polonia tani po përgatitet për vazhdimin e ngërçit që kishte ndodhur gjatë drejtimit të presidentit nacionalist në largim, Andrzej Duda, pasi Nawrocki do të mund t’i përdorë kompetencat e tij për veto për ta penguar agjendën qeveritare që e përfshin zhbërjen e reformave gjyqësore të miratuara nga partia PiS, për të cilat kritikët thonë se e kanë minuar pavarësinë e gjykatave.
Nawrocki gjithashtu duket se do t’i shkaktojë telashe Qeverisë duke propozuar masa si ulja e taksave që pritet të jenë të popullarizuara në mesin e shumë votuesve, por vështirë për t’u zbatuar për një administratë që ka buxhet të ngarkuar.
“Si kryeministër, unë deri më tani kam punuar me tre presidentë. Si do të jetë me të katërtin? Do t’ia dalim” – shkroi Tusku në rrjetin X. Ai ka shërbyer si kryeministër i Polonisë edhe në periudhën nga viti 2007 deri më 2024.
Presidenti i ri ka thënë se tani për tani nuk sheh vend për Ukrainën në NATO ose në Bashkimin Evropian, ndryshim i konsiderueshëm në krahasim me pozicionin e Duda-s.
Përderisa Tusku ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të luajë një rol më të madh në çështje të mbrojtjes krahas NATO-s, partia opozitare PiS dhe Nawrocki kanë argumentuar se kjo do ta minonte aleancën e Polonisë me Shtetet e Bashkuara./Nacionale