Goditje me kamionetë e me armë në Bregun Perëndimor, vritet ushtari izraelit - NACIONALE

Goditje me kamionetë e me armë në Bregun Perëndimor, vritet ushtari izraelit

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Një ushtar izraelit u vra të dielën, pasi u godit me armë zjarri gjatë atij që, sipas ushtrisë izraelite, ishte sulm me goditje me automjet në pjesën veriore të Bregut Perëndimor.

Një i dyshuar palestinez, i cili e kreu sulmin në kryqëzimin e rrugëve Jit – afër qytezës palestineze me të njëjtin emër dhe afër vendbanimit izraelit Kedumim – u qëllua për vdekje nga ushtarët e tjerë, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.

Ushtari që mbeti i vrarë në incident u identifikua si Rreshter Stafi Inbar Avraham Kav, 20 vjeç, pjesëtar i Batalonit 890 të Brigadës së Parashutistëve, nga qyteza veriore Lotem, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Zyrtarët mjekësorë raportuan se ai kishte pësuar një lëndim të rëndë në kokë. Shërbimi ambulantor “Magen David Adom” e dërgoi ushtarin në spitalin “Beilinson” në Petah Tikva për trajtim, ku nuk u mbijetoi plagëve.

Incidenti filloi, kur një kamionetë që drejtohej nga i dyshuari besohet se e ngriti shpejtësinë në drejtim të trupave izraelite në kryqëzimin e rrugëve, duke e goditur ushtarin Kav, para se të përplasej me një automjet tjetër, sipas një hetimi të ushtrisë izraelite. Ushtarët më pas hapën zjarr në drejtim të vozitësit të kamionetës, duke e lënë të vrarë.

Ushtria tha se, pasi u godit nga kamioneta, ushtari tashmë i vdekur gjithashtu u godit me armë zjarri, përderisa ushtarët e tjerë hapnin zjarr në drejtim të sulmuesit.

Hamasi e mirëpriti sulmin, por nuk e mori përgjegjësinë për këtë rast.

I dyshuari palestinez u identifikua nga zyrtarët izraelitë të mbrojtjes si banor i qytetit Nablus në Bregun Perëndimor.

Ushtria izraelite i bllokoi hyrjet në qytet si dhe në fshatrat e zonës. Incidenti ndodhi dhjetë ditë pasi dy ushtarë u vranë gjatë një sulmi në pikëkalimin kufitar “Allenby” me Jordaninë.

Sulmuesi në këtë rast ishte një jordanez që ishte duke drejtuar një kamion me ndihma humanitare i nisur për në Rripin e Gazës./Nacionale

Lajme të ngjashme