Gjykata Supreme e ShBA-së do të shqyrtojë një rast për kuptimin e fjalës “dhe” - NACIONALE

Gjykata Supreme e ShBA-së do të shqyrtojë një rast për kuptimin e fjalës “dhe”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Është vështirë të paramendohet ndonjë fjalë më pak e diskutueshme dhe më “e pafajshme” se fjala “dhe”. Megjithatë, mënyra se si të interpretohet kjo lidhës ka nxitur një luftë të ndërlikuar ligjore, që do të përfundojë në duart e Gjykatës Supreme të ShBA-së më 2 tetor. Vendimi i gjykatësve mund të prekë mijëra dënime me burgim çdo vit.

Gjykatat federale në mbarë vendin nuk po pajtohen nëse kjo fjalë, siç përdoret në një rishikim të drejtësisë kriminale më 2018, vërtet e ka kuptimin “dhe” apo nëse nënkupton “ose”. Edhe një panel i apelit, që kishte mbajtur në fuqi një dënim më të gjatë, e ka quajtur “hutuese” këtë fjalë, raporton agjencia “Associated Press”.

Gjykata Supreme e ka marrë rastin në duar për ta zgjidhur mosmarrëveshjen. Është ai lloj i detyrës që gjykatësit – dhe ndoshta edhe mësuesit e tyre të anglishtes – e duan. Në këtë rast kërkohet analizë e ngushtë e një pjese të një statuti federal, Akti i Hapit të Parë, me të cilin synohej pjesërisht zvogëlimi i dënimeve minimale të detyrueshme dhe u jep gjykatësve më shumë diskrecion.

Në veçanti, gjykatësit do ta ekzaminojnë dispozitën e ashtuquajtur valvulë e sigurisë, me të cilin synohet shmangia e dënimeve më të gjata të detyrueshme për trafikuesit e drogës që janë të nivelit më të ulët dhe që nuk janë të dhunshëm e të cilët pajtohen që ta pranojnë fajin dhe të bashkëpunojnë me prokurorët.

Është shumë më shumë se hartimi i një fjalie. Gati gjashtë mijë persona të dënuar për trafikim droge në vitin buxhetor 2021 janë në zonën e atyre që mund të përfitojnë nga dënimet e zvogëluara, sipas të dhënave të hartuara nga Komisioni i Dënimeve i ShBA-së.

Në përgjithësi, mund të preken mbi 10 mijë persona të dënuar që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, sipas Douglas Berman-it, ekspert i dënimeve në shkollën e drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Ohio-s.

Dispozita përfshin tri kritere që u lejojnë gjykatësve për të hequr dorë nga një dënim minimal i detyrueshëm, të cilat në thelb kanë të bëjnë me ashpërsinë e krimeve të mëparshme. Kongresi nuk e kishte bërë çështjen më të thjeshtë, duke e shkruar këtë pjesë në fjali mohuese, në mënyrë që gjykatësit të mund ta shfrytëzojnë diskrecionin gjatë shqiptimit të dënimit, nëse një i pandehur “nuk i ka” tri llojet e historisë kriminale.

Avokatët e Mark Pulsifer-it, i burgosuri rastin e të cilit do ta dëgjojë gjykata, thonë se të tria kushtet duhet të plotësohen para se të mund të shqiptohet një dënim më i gjatë. Në anën tjetër, autoritetet qeveritare thonë se një kusht mjafton për ta merituar dënimin minimal të detyrueshëm.

Lajme të ngjashme