Gjykata rumune ia heq masën e arrestit shtëpiak Andrew Tates
Një gjykatë rumune e hoqi masën e arrestit shtëpiak kundër personalitetit të njohur në internet, Andrew Tate, duke ia zëvendësuar atë me një masë më të lehtë parandaluese në pritje të rezultatit të një hetimi penal, tha të martën një zëdhënës i tij.
Tate ka qenë nën masë e arrestit shtëpiak nga gushti, kur prokurorët kishin filluar një hetim të dytë penal kundër tij, vëllait të tij Tristan-it dhe katër të dyshuarve të tjerë. Ata ballafaqohen me akuzat për formimin e një grupi të organizuar kriminal, trafikim me njerëz, trafikim të të miturve, marrëdhënie seksuale me një të mitur dhe spastrim parash. Të akuzuarit kanë mohuar çfarëdo shkelje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rasti i parë penal kundër Tates dështoi në dhjetor, kur gjykata e apelit në Bukuresht vendosi që të mos e gjykonte Taten, por ta kthente rastin te prokurorët. Vendimi, ku u përmendën të meta në aktakuzë, i dha një goditje njësitit kundër krimit të organizuar, DIICOT.
Të martën, gjykatësit e shfuqizuan arrestin shtëpiak si pjesë e hetimit të dytë penal.
“Ky vendim shënon një hap vendimtar përpara, duke ia dhënë [Tates] lirinë për të udhëtuar në mbarë Rumaninë, ndërkohë duke i respektuar kushtet e kërkuara ligjore” – thanë përfaqësuesit e tij.
Sipas masës më të lehtë parandaluese, e njohur si kontrolli gjyqësor, Tates i kërkohet që të lajmërohet në polici në intervale të rregullta kohore dhe nuk i lejohet kontakti me të dyshuar të tjerë ose dëshmitarë që janë pjesë e rastit. Nuk i lejohet as largimi nga territori i Rumanisë./Nacionale