Gjykata polake ia vazhdon masën e ndalimit ukrainasit të kërkuar për rastin e “Nord Stream” - NACIONALE

Gjykata polake ia vazhdon masën e ndalimit ukrainasit të kërkuar për rastin e “Nord Stream”

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë në Poloni mori vendim të hënën që një zhytës ukrainas i kërkuar nga Gjermania nën dyshimet për përfshirje në shpërthimet që e dëmtuan gazsjellësin “Nord Stream” duhet të mbahet në ndalim edhe për 40 ditë të tjera, tha avokati i tij.

I dyshuari Volodomyr Z. u arrestua afër Varshavës të martën e javës së kaluar dhe gjykata kishte vendosur që ai të mbahej në ndalim për shtatë ditë. Gjykata të hënën vendosi t’ia zgjaste afatin e mbajtjes derisa të merret një vendim nëse ai do të ekstradohet në Gjermani sipas një urdhërarresti evropian, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të përshkruara edhe nga Rusia, edhe nga Perëndimi si akt sabotimi, shpëthimet kishin shënuar një përshkallëzim në konfliktin e Ukrainës dhe kishin shkaktuar pengesa në dërgesat e energjisë. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet dhe Ukraina ka mohuar se ka pasur ndonjë rol në to.

Një burrë tjetër ukrainas, i dyshuar për bashkërendimin e sulmeve, u arrestua në Itali në gusht dhe ka planifikuar që ta luftojë me betejë ligjore ekstradimin në Gjermani.

“Gjykata e refuzoi kërkesën e prokurorit për paraburgim 100-ditor dhe urdhëroi që ndalimi të jetë për 40 ditë” – tha para gazetarëve avokati i të dyshuarit Volodymyr Z., Tymoteusz Paprocki.

Avokati më parë ka thënë se klienti i tij nuk ka bërë asgjë të ndaluar dhe do të deklarohet i pafajshëm.

Një zëdhënës i gjykatës tha se i dyshuari do të mbahet në ndalim deri më 9 nëntor.

Zyra e prokurorëve të lartë gjermanë tha në një deklaratë të mëhershme se zhytësi është pjesë e një grupi të njeëzve që dyshohen për marrje me qira të një jahti dhe për vendosjen e pajisjeve shpërthyese në gazsjellësin që kalon nga Rusia në Gjermani, afër ishullit danez Bornholm në shtator të vitit 2022./Nacionale

Lajme të ngjashme