Gjykata më e lartë e BE-së vendos kundër pasaportës së artë të Maltës
Gjykata Evropiane e Drejtësisë tha të martën se Malta duhet t’i japë fund programit të saj për pasaporta të arta, me të cilin të huajve të pasur u mundësohet blerja e shtetësisë, pasi kjo përbën shkelje të ligjeve të BE-së.
Komisioni Evropian në vitin 2022 e kishte çuar në gjyq Maltën për shkak të kësaj skeme, me të cilën të huajve u ofrohet pasaporta, rrjedhimisht edhe e drejta për të jetuar dhe punuar në cilindo shtet të Bashkimit Evropian në këmbim të një investimi prej rreth 1 milion eurosh në shtetin e vogël ishullor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gjykata tha se edhe pse shtetet anëtare të BE-së mund ta përcaktojnë mënyrën se si e japin ose e tërheqin shtetësinë e tyre për të huajt, skema e Maltës e prek parimin e besimit të ndërsjellë mes vendeve anëtare mbi të cilin mbështetet zona e përbashkët.
“Një shtet anëtar nuk mund ta japë kombësinë e vet – dhe vërtet shtetësinë evropiane – në këmbim të pagesave ose investimeve të paracaktuara, pasi kjo në thelb përbën bërje të fitimit të kombësisë thjesht një transaksion komercial” – thuhet në vendimin e gjykatës.
“Një praktikë e tillë nuk e bën të mundur vendosjen e kufirit të nevojshëm të solidaritetit dhe mirëbesimit mes një shteti anëtar dhe qytetarëve të tij, ose të garantohet besimi reciprok mes vendeve anëtare” – thuhet më tej në vendim.
Malta në mënyrë të përsëritur kishte këmbëngulur se kishte të drejtë në interpretimin e traktateve të BE-së nga ana e saj.
Shteti i vogël afër Italisë e kishte pezulluar programin e pasaportave të arta për shtetasit rusë dhe bjellorusë pas fillimit të luftës në Ukrainë, por e kishte vazhduar skemën për shtetas të vendeve të tjera./Nacionale