Gjykata Kushtetuese e Tajlandës e shkarkoi kryeministrin – pse?
Gjykata Kushtetuese e Tajlandës të mërkurën e shkarkoi nga detyra kryeministrin Srettha Thavisin, për shkak se ai kishte bërë anëtar të kabinetit një ish-avokat që kishte vuajtur dënim me burgim, duke e ngritur mundësinë për më shumë trazira politike dhe rivendosje të aleancës qeverisëse.
Thavisini bëhet kryeministri i katërt tajlandez që rrëzohet nga vendimet e gjykatës së njëjtë, pasi ajo vlerësoi se udhëheqësi i qeverisë e kishte shkelur kushtetutën përmes emërimit të një ministri që nuk i plotësonte standardet etike, raporton agjencia “Reuters”.
Shkarkimi i Thavisinit pas më pak se një viti në pushtet nënkupton që Kuvendi duhet të mblidhet për të zgjedhur një kryeministër të ri dhe ka gjasa për më shumë paqartësi në shtetit e përfshirë për dy dekada nga puçet dhe vendimet e gjykatave që kanë rrëzuar shumë qeveri e parti politike.
Gjykata e njëjtë javën e kaluar e shpërndau Partinë Lëviz Përpara, opozitë e popullarizuar, duke vendosur që fushata e saj për të reformuar një ligj kundër fyerjes së familjes mbretërore rrezikon që ta minojë monarkinë kushtetuese. Kjo parti u rigrupua të premten në një parti të re.
Partia e Thavisinit, Pheu, dhe paraardhëset e saj e kanë bartur barrën e rëndë të trazirave në Tajlandë, pasi dy qeveri të mëparshme i janë rrëzuar nga puçet në një armiqësi të gjatë mes themeluesve të partisë, familjes miliardere Shinawatra dhe rivalëve të saj në establishmentin konservator e ushtrisë mbretërore.