Gjykata Kushtetuese e Indisë refuzon që ta legalizojë martesën e çifteve LGBT - NACIONALE

Gjykata Kushtetuese e Indisë refuzon që ta legalizojë martesën e çifteve LGBT

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Kushtetuese e Indisë të martën tha se nuk mund t’i legalizojë martesat e gjinisë së njëjtë. Gjykatësi më i lartë i vendit tha se një ligj i tillë bie në kompetencat e Kuvendit.

Trupi gjykues me pesë anëtarë, i udhëhequr nga kryegjykatësi i Indisë, D.Y. Chandrachud, i dëgjoi argumentet në këtë rast mes prillit e majit të këtij viti, ndërsa vendimin e shpalli të martën, raporton agjencia “Reuters”.

Kryegjykatësi tha se kishte një shkallë “pajtimi e mospajtimi për atë se sa larg duhet të shkojmë” sa u përket martesave të gjinisë së njëjtë, kur filloi ta lexonte vendimin.

Dy gjykatës të tjerë të trupit gjykues u pajtuan me kryegjykatësin që Gjykata Supreme të mos i legalizojë martesat e gjinisë së njëjtë, duke e siguruar shumicën për marrjen e vendimit.

Ky vendim vjen pesë vjet pas një gjykimi historik më 2018, kur Gjykata Supreme kishte shfuqizuar një masë të periudhës kolonialiste për ndalimin e marrëdhënieve intime mes personave të gjinisë së njëjtë.

Qeveria e kryeministrit Narendra Modi i kishte kundërshtuar thirrjet për legalizimin e martesave të gjinisë së njëjtë, duke i quajtur “pikëpamje elitiste urbane” dhe duke thënë se Kuvendi është vendi i duhur për të debatuar dhe për të miratuar legjislacion rreth kësaj çështjeje.

Vetëm Tajvani dhe Nepali i lejojnë bashkimet e personave me gjini të njëjtë në Azi, ku vlerat kryesisht konservatore ende mbizotërojnë në politikë dhe shoqëri.

Lajme të ngjashme