Gjykata italiane vendos kundër ekzekutimit të arushës që e ka mbytur vrapuesin Andrea Papi
Një gjykatë italiane ka pezulluar një vendim për ekzekutimin e një arushe të murrme, e cila kishte sulmuar për vdekje një vrapues të ri në Alpe.
Arusha 17-vjeçare, tashmë e identifikuar si JJ4, u kap pas sulmit fatal ndaj 26-vjeçarit Andrea Papi afër fshatit Caldes më 5 prill. Ai ishte personi i parë në Itali që është mbytur nga një sulm ariu në kohën moderne, raporton gazeta “The Guardian”.
Gjykatësit në gjykatën administrative të Romës, që njohët si Këshilli i Shtetit, thanë të premten se përderisa arusha duhet të mbahet e izoluar për shkak të sigurisë publike, urdhri për ekzekutimin e saj ishte disproporcional dhe i panevojshëm.
Fati i arushës ka marrë vëmendje nga mediat që nga koha e sulmit ndaj të riut. Kryetari i provincës së Trentos, ku ka ndodhur sulmi, ka bërë thirrje që arusha të ekzekutohet, ndërsa grupet për të drejtat e kafshëve kanë kërkuar që asaj t’i kursehet jeta.
Ndonjë vendim përfundimtar për këtë rast nuk pritet deri në apelin e ardhshëm në dhjetor.
Në zonën përreth qytetit Trento, e cila është ripopulluar me arinj nga viti 1999 sipas një programi të financuar nga Bashkimi Evropian, janë shënuar disa sulme nga arinjtë viteve të fundit, duke ngritur pyetje se si bashkëjetesa me këto kafshë mund të arrihet në mënyrë të suksesshme.
Arusha JJ4 më parë është fajësuar për sulme dhe ndaj dy personave të tjerë.
Grupi për të drejtat e kafshëve, LAV, e mirëpriti vendimin e gjykatës të premten dhe tha se ky organ duhet të sigurojë të ardhme të sigurt për arushën.
“Nuk ka më arsye për ta shtyrë dërgimin e JJ4-shit në një strehë të sigurt e të autorizuar në Rumani”- tha Massimo Vitturi, zëdhënës i këtij grupi, i cili ka gjetur një strehë në Rumani për arushën dhe ka bërë ofertë që t’i paguajë shpenzimet për dërgimin e kafshës atje.
Gjykatësit në Romë morën vendim për kursimin e jetës edhe të një ariu tjetër, i quajtur MJ5, që ende nuk është kapur dhe që ballafaqohej me rrezikun për një urdhër ekzekutimi, pasi kishte lënduar një burrë në mars.
