Gjykata e rebelëve Houthi dënon me pushkatim publik për spiunim 17 persona në Jemen
Një gjykatë e kontrolluar nga lëvizja Houthi në kryeqytetin e Jemenit ka dënuar me vdekje 17 njerëz të akuzuar për spiunim në të mirë të qeverive të huaja.
Gjykata e Specializuar Penale në Sanaa e shqiptoi vendimin të shtunën, sipas agjencisë së lajmeve SABA, e cila menaxhohet nga rebelët Houthi, transmeton agjencia “Associated Press”.
Personat e dënuar ishin pjesë e “celulave të spiunimit brenda një rrjeti spiunimi i lidhur me inteligjencën amerikane, izraelite dhe saudite”, tha gjykata, e cila urdhëroi që dënimi me vdekje të zbatohej me skuadër qitjeje në publik.
Gjykata gjithashtu dënoi një burrë dhe një grua me dhjetë vjet burgim, ndërsa një i pandehur tjetër u lirua nga akuzat, transmeton gazeta "Nacionale".
Abdulbasit Ghazi, avokat që i përfaqësonte disa nga të pandehurit e dënuar, tha se vendimi i gjykatës mund të apelohet.
Të pandehurit ishin akuzuar për “spiunim me shtete të huaja në gjendje armiqësie me Jemenin gjatë periudhës 2024-2025”, raportoi agjencia SABA.
Prokurorët thanë se të pandehurit kishin bashkëpunuar me zyrtarë të inteligjencës nga Arabia Saudite, Britania dhe Shtetet e Bashkuara si dhe me shërbimin izraelit të inteligjencës, Mossad, sipas raportit të kësaj agjencie.
Të pandehurit u ofruan “armiqve të dhëna për dhjetëra lokacione dhe lëvizje të krerëve shtetërorë, si dhe të dhëna për raketa... që çuan në shënjestrimin e disa zonave ushtarake, civile dhe të sigurisë që rezultuan në vdekjen e dhjetëra njerëzve dhe në shkatërrim të gjerë të infrastrukturës”, sipas agjencisë SABA.
Gjatë dy viteve të fundit, rebelët kanë arrestuar dhjetëra njerëz në një fushatë të përqendruar kundër atyre që punojnë për OKB-në dhe për organizata ndërkombëtare të ndihmave dhe në ambasada të huaja. Rebelët kanë pretenduar disa herë pa dëshmi se këta persona ishin spiunë. OKB-ja i mohon prerazi akuzat.