GjNP-ja lëshon urdhërarreste për ish-ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e ushtrisë ruse
Gjykata Ndërkombëtare Penale të martën lëshoi urdhërarreste ndërkombëtare për ish-ministrin e Mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoigu, dhe gjeneralin e ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, nën dyshimin për krime të kryera gjatë pushtimit rus të Ukrainës.
Gjykata me seli në Hagë tha se Shoigu dhe Gerasimovi janë të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit gjatë drejtimit të sulmeve kundër civilëve dhe objekteve civile në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.
Gjykatësit kishin vlerësuar se ka “bazë të besueshme për të besuar se dy të dyshuarit bartin përgjegjësi për sulme me raketa të kryera nga forcat e armatosura ruse kundër infrastrukturës elektrike ukrainase nga të paktën 10 tetori 2022 deri të paktën më 9 mars 2023”, tha GjNP-ja në një deklaratë për shtyp.
Rusia, që nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, vazhdimisht ka thënë se infrastruktura ukrainase e energjisë është cak legjitim ushtarak, por mohon se vë në shënjestër civilë ose infrastrukturë civile.
As Ukraina nuk është anëtare e GjNP-së, por i ka dhënë juridiksion kësaj gjykate për t’i ndjekur penalisht krimet e kryera në territorin e saj.
Urdhërarrestet për Shoigun dhe Gerasimovit e çojnë në tetë numrin e përgjithshëm të urdhërarresteve të lëshuara kundër zyrtarëve të lartë rusë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Këtu përfshihet edhe presidenti Vladimir Putin, i dyshuar nga gjykata për krim lufte për shkak të dëbimit të fëmijëve ukrainas në Rusi.