GjND-ja e refuzon kërkesën e Afrikës së Jugut për masa urgjente për Rafan e Gazës
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të premten refuzoi një kërkesë të Afrikës së Jugut që të vendosen masa urgjente për ta mbrojtur qytetin Rafah në Rripin e Gazës, por gjithashtu theksoi se Izraeli duhet t’i respektojë masat e shqiptuara muajin e kaluar në një fazë preliminare të rastit për gjenocid.
GjND-ja tha në një deklaratë se “situata e rrezikshme” në Rafah “e kërkon zbatimin e menjëhershëm dhe efikas të masave të përkohshme”, për të cilat urdhëroi kjo gjykatë më 26 janar, raporton agjencia “Associated Press”.
Më tej, Gjykata Botërore tha se nuk nevojitet ndonjë urdhër i ri, sepse masat ekzistuese “janë të zbatueshme në mbarë Rripin e Gazës, përfshirë Rafah-n”.
GjND-ja theksoi se Izraeli “mbetet i detyruar që t’i respektojë plotësisht detyrimet e tij sipas Konventës së Gjenevës” dhe vendimit të 26 janarit, me të cilin ky shtet urdhërohet që të bëjë gjithçka që mundet për t’i parandaluar vdekjen, shkatërrimin dhe çfarëdo akti të gjenocidit në Gaza.
Duke e cituar sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, gjykata vuri në pah se “zhvillimet më të reja në Rripin e Gazës, dhe në Rafah në veçanti, në mënyrë eksponenciale do të rrisin atë që tashmë është ankth humanitar me pasoja rajonale të papërshkrueshme”.
Izraeli e ka identifikuar qytetin Rafah si bastionin e fundit që ka mbetur në duart e Hamasit dhe është zotuar se do ta vazhdojnë ofensivën atje. Rreth 1,4 milion palestinezë, më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës, janë dyndur në këtë qytet, shumica të zhvendosur nga luftimet në pjesë të tjera të enklavës.
Autoritetet izraelite kanë thënë se do t’i evakuojnë civilët para sulmit, edhe pse zyrtarë ndërkombëtarë të ndihmave kanë thënë se nuk ka asnjë vend për të shkuar për shkak të shkatërrimit të madh që është lënë pas nga ofensiva.
Afrika e Jugut kishte njoftuar të martën se kishte paraqitur një “kërkesë urgjente” në GjND për të shqyrtuar nëse operacionet ushtarake izraelite që e kanë në shënjestër qytetin Rafah i shkelin urdhrat e përkohshëm që i kishte lëshuar gjykata muajin e kaluar.