GjND-ja e nis vitin 2026 me rastin për gjenocid ndaj pakicës myslimane Rohingya në Mianmar - NACIONALE

GjND-ja e nis vitin 2026 me rastin për gjenocid ndaj pakicës myslimane Rohingya në Mianmar

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) do ta fillojë vitin e ri 2026 me seancë dëgjimore për rastin ku Mianmari, shtet që dikur quhej Birmania, akuzohet se ka kryer gjenocid kundër pakicës së vet myslimane, Rohingya.

Gjykata më e lartë e OKB-së njoftoi të premten se seancat dëgjimore do të mbahen mes dative 12 e 29 janar të vitit të ardhshëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Procedura gjyqësore në këtë rast pritet që të vendosë precedentë që mund ta prekin rastin e paraqitur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit për luftën në Gaza, pasi ky do të jetë rasti i parë për gjenocid që GjND-ja do ta shqyrtojë në më shumë se një dekadë.

Në javën e parë të seancave dëgjimore, Gambia – shtet me shumicë myslimane në Afrikën Perëndimore – do ta paraqesë rastin nga data 12 deri më 15 janar. E mbështetur nga Organizata për Bashkëpunim Islamik, Gambia e kishte dorëzuar rastin në GjND në vitin 2019, duke e akuzuar Mianmarin për gjencoid kundër pakicës Rohingya.

Mianmari, i cili e ka mohuar akuzën, do t’i paraqesë kundërargumentet e veta nga data 16 deri më 20 janar.

Në një lëvizje të pazakontë, GjND-ja, e cila njihet edhe si Gjykata Botërore, ka caktuar gjithashtu tri ditë për t’i dëgjuar dëshmitarët. Këto seanca do të jenë të mbyllura për publikun dhe mediat.

Një mision i OKB-së për zbulimin e fakteve ka arritur në përfundimin se një fushatë ushtarake e vitit 2017 nga Mianmari, që e kishte shkaktuar zhvendosjen e 730 mijë pjesëtarëve të grupit Rohingya në Bangladeshin fqinj, kishte përfshirë “akte gjenocidale”.

Mianmari thotë se fushata e kishte për qëllim shtypjen e rebelëve të këtij grupi që kishin kryer sulme, duke i kundërshtuar rezultatet e misionit të Kombeve të Bashkuara.

Lajme të ngjashme