Gjigantët amerikanë njoftojnë plan të inteligjencës artificiale me vlerë deri në 500 miliardë dollarë - NACIONALE

Gjigantët amerikanë njoftojnë plan të inteligjencës artificiale me vlerë deri në 500 miliardë dollarë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Kompania “OpenAI” do t’i bashkojë forcat me kompanitë “Oracle” dhe “Softbank” për të ndërtuar qendra të të dhënave të pajisura për ta fuqizuar inteligjencën artificiale (AI), me një plan për të investuar 100 miliardë dollarë “menjëherë”.

Duke i pasur në krah shefat e këtyre tri kompanive në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se plani është “një deklaratë kumbuese e besimit në potencialin e Amerikës”, raporton televizioni BBC.

“OpenAI” në të kaluarën ka bërë thirrje për investime të mëdha në infrastrukturë për ta mbështetur inteligjencën artificiale dhe ka bërë shtytje që ato plane të mbështeten nga autoritetet shtetërore amerikane.

Kompania që e ka themeluar aplikacionin “ChatGPT” dhe kompania “Softbank” thanë se sipërmarrja e përbashkët, të cilës i është vënë emri “Stargate”, synon që të investojë 500 miliardë dollarë gjatë katër viteve të ardhshme.

“Mendoj se ky do të jetë projekti më i rëndësishëm i kësaj epoke. Ne nuk do të mund ta bënim këtë pa ju, zotëri president” – tha shefi ekzekutiv i kompanisë "OpenAI", Sam Altman, duke i dhënë merita Trumpit, edhe pse puna për projektin tashmë kishte filluar.

Ky plan, i cili e përfshin ndërtimin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale si qendrat e të dhënave, pritet të krijojë më shumë se 100 mijë vende pune, sipas presidentit Trump.

Kryeshefi për teknologji në kompaninë “Oracle”, Larry Ellison, tha se qendrat e para të të dhënave janë duke u ndërtuar në Teksas dhe më shumë të tilla do të ndërtohen në lokacione të tjera.

“OpenAI” tha se njoftimi për kompaninë e re, ku përfshihet edhe investitori i mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, MGX, është kulmi i më shumë se një viti bisedimesh.

Në mesin e partnerëve të tjerë në projekt janë edhe gjigantët e teknologjisë, “Microsoft”, “Arm” dhe NVIDIA, sipas deklaratave të kompanive “Softbank” dhe “OpenAI”./Nacionale

Lajme të ngjashme