Gjermania thotë se Rusia po blen spiunë për t’i zëvendësuar diplomatët e dëbuar - NACIONALE

Gjermania thotë se Rusia po blen spiunë për t’i zëvendësuar diplomatët e dëbuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia po u kthehet gjithnjë më shumë shantazhit dhe nxitjeve financiare për të angazhuar gjermanë për të spiunuar për të pas goditjes së pësuar ndaj shërbimeve inteligjente përmes dëbimit të rreth 600 diplomatëve rusë, tha shërbimi gjerman për siguri të brendshme.

Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) tha se shërbimet inteligjente ruse po shpenzojnë shumë për të rekrutuar agjentë në Gjermani pavarësisht nga përpjekjet e Perëndimit për t’i kufizuar operacionet e tyre që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.

“Rusia është duke punuar fort për ta kompensuar zvogëlimin nga qeveria gjermane në numrin e agjentëve rusë në Gjermani” – tha në një konferencë për shtyp drejtori i BfV-së, Thomas Haldenwang.

Dy shtetas gjermanë, të cilët gushtin e kaluar ishin akuzuar për tradhti të lartë kombëtare për spiunim për Rusinë, ishin paguar secili me nga 400 mijë euro për shërbimet e tyre, tha shërbimi gjerman për inteligjencë të brendshme.

“Pagesat për agjentë tregojnë se shërbimet ruse vazhdojnë të kenë burime të pamasa financuare me të cilat i ndjekin qëllimet e tyre të inteligjencës” – thuhet më tej në raportin e BfV-së gjermane.

Në rrezik të posaçëm për të qenë në shënjestër të shërbimeve ruse janë gjermanët që jetojnë në Rusi ose që udhëtojnë rregullisht atje, përfshirë diplomatët gjermanë, të cilët lehtësisht mund të bëhen të cenueshëm ndaj përpjekjeve për shantazh.

“Porsa ata të kenë të dhëna komprometuese për caqet e tyre, këtyre shërbimeve nuk u vjen turp për zbatimin e teknikave agresive të rekrutimit” – thuhet më tej.

Më herët këtë muaj, NATO-ja gjithashtu i pohoi shqetësimet e veta për spiunazhin rus dhe bëri thirrje për veprime më të forta si kundërpërgjigje ndaj asaj që tha se është fushatë e veprimeve armiqësore, përfshirë aktet e sabotimit dhe sulmet kibernetike./Nacionale

Lajme të ngjashme