Gjermania thotë se Putini s’dëshiron të flasë as në telefon me Scholzin për paqen në Ukrainë
Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk është i gatshëm që të flasë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për ndërmjetësim për arritjen e paqes në Ukrainë, tha të premten kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock.
“Ukraina është e gatshme për një paqe të drejtë” – tha zonja Baerbock në Berlin, kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të zhvillojë bisedime me kancelarin gjerman të premten, raporton agjencia “Reuters”.
Duke folur krahas homologut sllovak, ministrja gjermane e kritikoi Putinin për refuzimin e ofertave për bisedime të paqes.
“Ai refuzon që ta pranojë paqen dhe përditë dërgon një sinjal tjetër në favor të luftës dhe shkatërrimit. Këtyre ditëve, ai nuk është më madje i përgatitur për të folur me kancelarin gjerman në telefon” – shtoi ajo.