Gjermania lëshon urdhërarrest për një ukrainas për shpërthimin në gazsjellësin “Nord Stream” - NACIONALE

Gjermania lëshon urdhërarrest për një ukrainas për shpërthimin në gazsjellësin “Nord Stream”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjermania ka lëshuar urdhërarrest evropian kundër një instruktori ukrainas të zhytjes që dyshohet se ishte pjesë e një ekipi që e kishte hedhur në erë gazsjellësin “Nord Stream”, sipas një raporti të tri mediave gjermane të mërkurën.

Hetuesit gjermanë besojnë se ky person, që për herë të fundit dihet se ishte duke jetuar në Poloni, ishte njëri nga zhytësit që kishin vendosur pajisje shpërthyese në gazsjellësin që kalon nga Rusia deri në Gjermani nën Detin Baltik në shtator të vitit 2022, raportuan gazetat SZ dhe “Die Zeit” si dhe televizioni ARD, duke cituar burime të paidentifikuara, përcjell agjencia “Reuters”.

Zyra e Kryeprokurorit të Gjermanisë refuzoi që ta komentonte raportin.

Gjermania kishte kërkuar nga Polonia në qershor që ta arrestonte këtë person, thuhet në raportimin e mediave gjermane.

Zyra Kombëtare e Prokurorit Publik në Poloni nuk pati koment të menjëhershëm për këtë çështje.

Të mërkurën, revista “Spiegel” raportoi se i dyshuari mendohet se tashmë është larguar nga Polonia, duke cituar burime të sigurisë.

Një burrë dhe një grua tjetër – gjithashtu instruktorë ukrainas të zhytjes – janë identifikuar në hetimin e Gjermanisë për sabotimin e dyshimtë, por deri më tani nuk janë lëshuar urdhërarreste për ta, sipas gazetave SZ e “Die Zeit” si dhe sipas televizionit ARD.

Mbetet mister se kush qëndron prapa shpërthimeve që kishin shkatërruar tre prej katër gazsjellësve, që ishin bërë simbol kundërthënës i varësisë së Gjermanisë nga gazi rus pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Rusia dhe Perëndimi e kanë akuzuar njëri-tjetrin se qëndrojnë prapa shpërthimeve. Secila palë e ka mohuar përfshirjen dhe askush nuk e ka marrë përgjegjësinë.

Sipas një hetimi nga Suedia, shenja të pajisjeve shpërthyese ishin gjetur në disa objekte të nxjerra nga vendi i shpërthimit, duke vërtetuar se shpërthimet ishin veprime të qëllimshme.

Në janar të vitit 2023, Gjermania bastisi një anije për të cilën tha se ishte përdorur për të transportuar pajisje shpërthyese dhe iu tha Kombeve të Bashkuara se besonte që zhytës të trajnuar mund t’i kishin vendosur pajisjet në gypat e gazsjellësit në thellësi prej rreth 70 deri 80 metra./Nacionale

Lajme të ngjashme