Gjermania kërkon nga Izraeli që ta ndalë ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor
Gjermania të premten i bëri thirrje Qeverisë së Izraelit që ta ndalë ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, pasi ministri izraelit i së djathtës ekstreme, Bezalel Smotrich, tha se do të fillojë puna për një plan me mijëra shtëpi që do ta ndajnë Bregun Perëndimor.
Gjermania “vendosmërisht i refuzon njoftimet e Qeverisë izraelite në lidhje me miratimin e e mijëra njësive të reja të banimit në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor” – tha në një deklaratë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.
Planet për vendbanimin E1 dhe zgjerimin e Maale Adumim-it do ta kufizonin më tej lëvizshmërinë e popullsisë palestineze në Bregun Perëndimor duke e ndarë atë në dy pjesë dhe duke e shkëputur zonën nga Jerusalemi Lindor, tha më tej zëdhënësi gjerman, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, njoftoi të enjten se do të fillojë puna për vendbanimin, ndërtimi i të cilit ishte shtyrë për një kohë të gjatë. Zyra e tij tha se ky veprim do ta “varrosë” idenë e një shteti palestinez.
Në një deklaratë, zëdhënësi i Smotrich-it tha se ministri e kishte miratuar planin për të ndërtuar 3.401 shtëpi për kolonët izraelitë mes një vendbanimi ekzistues në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemit.
Gjermania në mënyrë të përsëritur e ka paralajmëruar Qeverinë e Izraelit që ta ndalë ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, i cili i shkel të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Lëvizje të tilla i ndërlikojnë hapat drejt një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete dhe fundit të pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor, tha zëdhënësi gjerman./Nacionale