Gjermania ia zgjeron kompetencat ushtrisë për t’i luftuar dronët - NACIONALE

Gjermania ia zgjeron kompetencat ushtrisë për t’i luftuar dronët

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Gjermanisë të enjten votoi për t’u dhënë forcave të armatosura më shumë kompetenca për pengimin dhe rrëzimin e dronëve, duke reaguar ndaj shtimit të rasteve kur janë parë dronë që nga koha kur Rusia e filloi luftën e saj kundër Ukrainës më 2022.

Bundestagu miratoi një amendament në ligjin për sigurinë ajrore nga Ministria e Brendshme, me mbështetjen nga konservatorët dhe socialdemokratët, bashkë me opozitën e së djathtës ekstreme të AfD-së, me qëllimin që të përshpejtohet dhe të thjeshtohet mbrojtja nga dronët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, numri i incidenteve me dronë në qiellin e Gjermanisë është rritur. Drejtuesit e tyre shpesh janë të paarritshëm për t’u përcjellë. Ekspertët dyshojnë se prapa shumë fluturimeve të tilla qëndron Rusia.

Sipas ligjit të amendamentuar, ushtria gjermane mund të ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta kundër dronëve, kur autoritetet civile kërkojnë ndihmë, përfshirë përdorimin e pajisjeve për pengimin e valëve si dhe armët.

Në të kaluarën, ndërhyrja ushtarake ishte e kufizuar rreptë. Ministria e Mbrojtjes tani mund të japë urdhër për operacione në mënyrë të pavarur, duke mundësuar kundërpërgjigje më të shpejta ndaj rreziqeve akute, sipas hollësive që u përvijuan në legjislacionin e ri.

Në shtetet federale të Gjermanisë, përgjegjëse për luftimin e dronëve është policia, por asaj shpesh i mungojnë pajisjet.

Rishtazi janë zgjeruar edhe kompetencat e policisë federale dhe në Berlin është hapur një qendër e re për mbrojtje nga dronët për t’i mbështetur këto përpjekje./Nacionale

Lajme të ngjashme