Gjermania ia pezullon Izraelit të gjitha eksportet e armëve që mund të përdoren në Gaza - NACIONALE

Gjermania ia pezullon Izraelit të gjitha eksportet e armëve që mund të përdoren në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria gjermane nuk do të miratojë asnjë eksport të pajisjeve ushtarake në Izrael që do të mund të përdoreshin në Rripin e Gazës deri në një njoftim tjetër, tha kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, si kundërpërgjigje ndaj planit të Izraelit për zgjerimin e operacioneve ushtarake në enklavë.

Në një deklaratë, kancelari gjerman tha se lirimi i pengjeve izraelite dhe bisedimet për armëpushim janë prioritetet kryesore të vendit të tij, duke shprehur shqetësim të thellë për vuajtjet e civilëve në Rripin e Gazës, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Ky vendim shënon ndryshim të konsiderueshëm të drejtimit për Qeverinë e Gjermanisë, e cila ka qenë njëra nga aleatet më të palëkundura të Izraelit, thekson gazeta izraelite në gjuhën angleze.

Merzi tha se është “gjithnjë më vështirë të kuptohet” se si plani i ushtrisë izraelite do të ndihmojë në arritjen e qëllimeve legjitime të çarmatosjes së Hamasit dhe lirimit të pengjeve.

“Në këto rrethana, qeveria gjermane nuk do të autorizojë asnjë eksport të pajisjeve ushtarake që do të mund të përdoreshin në Rripin e Gazës deri në një njoftim të ardhshëm” – tha kancelari gjerman.

Kabineti izraelit i sigurisë të premten herët miratoi një plan për ta marrë nën kontroll ushtarak Qytetin Gaza, ndërsa kryeministri izraelit ka thënë se vendi i tij synon që ta kapë tërë enklavën.

Miratimi i këtij plani ka nxitur reagime. Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se ky plan do të sjellë vetëm më shumë gjakderdhje, duke e quajtur masë të gabuar.

Komisionari i OKB-së për të drejtat e njeriut ka kërkuar që ky plan të ndalet menjëherë./Nacionale

Lajme të ngjashme