Gjermania i premton ndihmë Ukrainës për të prodhuar raketa me rreze të gjatë
Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, i tha të enjten në Berlin presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Berlini do ta ndihmojë Kievin për të prodhuar raketa me rreze të gjatë në mënyrë që të mbrohet nga sulmet ruse.
“Ne duam të flasim për prodhimin dhe nuk do t’i diskutojmë publikisht hollësitë” – tha ai, kur u pyet nga gazetarët në Berlin nëse Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me raketa të tipit “Taurus”, raporton televizioni BBC.
Merzi erdhi në pushtet më herët këtë muaj, duke premtuar se do ta shtojë mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën, ndërsa këtë javë tha se nuk ka më ndonjë kufizim për përdorimin e armëve që i janë dhënë Kievit nga aleatët perëndimorë.
Raketat “Taurus” kanë rreze veprimi prej 500 kilometrash dhe do të mund të arrinin më thellë brenda territorit të Rusisë në krahasim me raketat e tjera me rreze të gjatë.
Edhe pse kancelari gjerman nuk i përmendi me emër këto raketa gjatë konferencës së përbashkët për gazetarë me presidentin ukrainas, ai tha se “një memorandum mirëkuptimi” për raketat me rreze të gjatë do të nënshkruhet nga ministrat e mbrojtjes të të dyja vendeve më vonë të mërkurën.
Rusia ka paralajmëruar se çfarëdo vendimi për t’u dhënë fund kufizimeve të rrezes së veprimit të raketave që përdoren nga Ukraina do të ishte një ndryshim goxha i rrezikshëm në politika që do t’i dëmtonte përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike.
Presidenti ukrainas ka bërë thirrje për arritjen e një zgjidhjeje për luftën përmes një takimi mes tij e presidentëve Trump të ShBA-së e Putin të Rusisë, edhe pse shtoi se do të ishte i gatshëm për çfarëdo formati.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, të mërkurën tha se një datë për bisedime të reja do të njoftohet “në të ardhmen shumë të afërt”, por bëri të qartë se Moska po synon që ta garantojë “statusin neutral, të parreshtuar dhe jobërthamor” të Ukrainës./Nacionale