Gjermania e përgjysmon rritjen e parashikuar ekonomike për këtë vit, zvogëlim edhe për 2027-ën - NACIONALE

Gjermania e përgjysmon rritjen e parashikuar ekonomike për këtë vit, zvogëlim edhe për 2027-ën

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Qeveria gjermane e ka përgjysmuar rritjen e parashikuar ekonomike për vitin 2026 dhe e ka zvogëluar rritjen e parashikuar edhe për vitin e ardhshëm, ndërkohë e ka rritur shifrën e parashikuar për inflacion, i tha të enjten agjencisë “Reuters” një burim, kur lufta e Iranit po shkakton shtrenjtim të naftës dhe gazit.

Për këtë vit, Qeveria pret rritje ekonomike prej 0,5 për qind, nga 1,0 për qind sa priste më herët, ndërsa 0,9 për qind rritje vitin e ardhshëm, nga 1,3 për qind sa parashikonte më parë, tha ky burim.

Rishikimi negativ i shifrave vjen pas uljes së tyre nga institute të njohura të ekonomisë në Gjermani, të cilat e zvogëluan rritjen e parashikuar ekonomike për vitin 2026 nga 1,3 në 0,6 për qind, ndërsa për vitin 2027, nga 1,4 në 0,9 për qind.

Parashikimet e instituteve e përbëjnë bazën për parashikimet nga Qeveria. Ekonomia më e madhe e Evropës ka qenë duke u ballafaquar me vështirësi që nga pandemia për ta rifituar momentumin, përballë shtimit të konkurrencës nga Kina si dhe çmimeve më të larta të Energjisë, të shkaktuara së pari nga lufta e Ukrainës dhe tani të përkeqësuara nga konflikti i Iranit.

Lufta e Iranit e ka rritur edhe shifrën e parashikuar të inflacionit. Shtrenjtimi i naftës dhe gazit pas fillimit të sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite kundër Iranit më 28 shkurt tashmë kanë ndikuar që inflacioni në Gjermani të shkonte në 2,8 për qind në mars.

Qeveria gjermane tani pret që inflacioni të shkojë në 2,7 për qind këtë vit dhe 2,8 për qind më 2027, tha burimi i njëjtë, nga 2,3 për qind sa ishte vitin e kaluar.

Me rritjen e inflacionit, konsumi nga amvisëritë do të ngadalësohet, duke u rritur për 3,2 për qind më 2026 dhe për 3,3 për qind më 2027, pas një parashikimi prej 4,2 për qind rritje vitin e kaluar, shtoi burimi.

Për shkak të pasojave nga taksat dhe pasiguria globale, tregtia e jashtme nuk do të jetë në gjendje që ta mbështesë rritjen ekonomike të Gjermanisë, e cila është e orientuar nga eksporti.

Eksportet nuk pritet të rriten nga viti në vit deri më 2027, kur parashikimi është për 1,3 për qind rritje, tha burimi. Importet pritet të rriten më shpejtë – për 1,8 për qind më 2027, duke e ngushtuar bilancin pozitiv tregtar të vendit.

Të martën, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i zvogëloi shifrat e parashikuara për rritje ekonomike në Gjermani për këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme