Gjermania e miraton përfundimisht planin për rritje ekonomike e fuqizim të ushtrisë - NACIONALE

Gjermania e miraton përfundimisht planin për rritje ekonomike e fuqizim të ushtrisë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Dhoma e lartë e Kuvendit të Gjermanisë, e njohur si Bundesrat, të premten i miratoi planet për rritje të shpenzimeve me të cilat synohen ringjallja ekonomike në ekonominë më të madhe të Evropës dhe fuqizimi i ushtrisë, duke e kaluar pengesën e fundit për ndryshimin historik të politikave.

Duke u dhënë fund dekadave të konservatorizmit fiskal gjerman, me legjislacionin e ri themelohet një fond prej 500 miliardë eurosh, të cilat do të shpenzohen në infrastrukturë, dhe lehtësohen rregullat e huas për të mundësuar shpenzime më të mëdha në mbrojtje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Konservatorët dhe SPD-ja, të cilët janë në bisedime për formimin e një koalicioni qeveritar pas zgjedhjeve të shkurtit, e shtynë përpara pakon në përbërjen e vjetër parlamentare që ajo të mos bllokohej nga një grup i zmadhuar i ligjvënësve të së djathtës ekstreme e të majtës ekstreme në legjislaturën e re që e fillon punën më 25 mars.

Ai që pritet të bëhet kancelar, Friedrich Merz, e ka mbrojtur agjendën e shpejtë, e cila i ka zemëruar partitë opozitare, duke e përmendur situatën gjeopolitike që po ndryshon shpejt.

Udhëheqësit evropianë kanë frikë se ndryshimet e politikave të Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump në veçanti mund ta lënë kontinentin të shpërfaqur ndaj një Rusie gjithnjë më armiqësore dhe një Kine kategorike.

“Rreziku nga Lindja, nga Moska, është ende i pranishëm, ndërsa përkrahja nga Perëndimi nuk është më ajo me të cilën dikur ishim mësuar” – tha kryeministri bavarez, Markus Soeder.

Miratimi i planit për rritjen e shpenzimeve i jep Merz-it një fitore të madhe madje para se ai të betohet në postin e kancelarit./Nacionale

Lajme të ngjashme