Gjermania e miraton buxhetin e ri, përgjysmohet ndihma ushtarake për Ukrainën
Kabineti gjerman e miratoi të mërkurën buxhetin për vitin 2025, i thanë agjencisë “Reuters” burimet qeveritare, edhe pse ende duhet të mbulohet një dallim prej 17 miliardë eurosh mes shpenzimeve të planifikuara dhe të hyrave.
Gjermania do t’i përgjysmojë ndihmat ushtarake për Ukrainën vitin e kaluar, edhe me mundësinë që kandidati republikan, Donald Trump, të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në ShBA e t’ia kufizojë përkrahjen Kievit, raporton agjencia “Reuters”.
Ndihma gjermane për Ukrainën do të zvogëlohet në 4 miliardë euro më 2025, nga rreth 8 miliardë euro më 2024, sipas një drafti të buxhetit që e ka parë agjencia “Reuters”.
Berlini shpreson që Ukraina do të jetë në gjendje që ta plotësojë shumicën e nevojave ushtarake me 50 miliardë dollarë hua nga interesi i fituar nga asetet e ngrira ruse, sipas marrëveshjes së Grupit G7, dhe se fondet e ndara për armatim nuk do të shfrytëzohen plotësisht.
Kambanat e alarmit ranë në Evropë këtë javë, pasi Trumpi e zgjodhi J.D. Vance-n si kandidat për nënpresident të ShBA-së. Vance e kundërshton përkrahjen ushtarake për Ukrainën dhe ka paralajmëruar se Evropa do të duhet të mbështetet më pak te ShBA-ja në fushën e mbrojtjes.
Rezervat e forcave të armatosura gjermane, tashmë me mungesa nga investimi i vogël me dekada, janë varfëruar edhe më shumë nga dërgesat e armëve në Ukrainë.
Deri më tani, Berlini i ka dhuruar Kievit tri njësi të sistemit të mbrojtjes ajrore “Patriot”, më shumë se cilido shtet tjetër, duke e ulur në nëntë numrin e njësive të tilla në Gjermani.
Edhe pse ndihmat ushtarake për Ukrainën do të pakësohen, Gjermania do ta respektojë pragun e NATO-s për shpenzimin e të paktën 2 për qind të prodhimit vendës bruto në fushën e mbrojtjes më 2025, me gjithsej 75,3 miliardë euro.
Disa ditë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kishte njoftuar një fond të posaçëm prej 100 miliardë eurosh për fuqizimin dhe modernizimin e forcave të armatosura.